Për t’ia kthyer anijen nga Irani, Koreja e Jugut kërkon ndihmë nga Katari

11:52 | 14 Janar 2021
Arbresh.info

Koreja e Jugut ka kërkuar ndihmë nga Katari për të siguruar lëshimin e anijes dhe ekuipazhit të saj të ndaluar nga Irani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton agjencia e lajmeve koreano-jugore Yonhap, zv/ministri i Punëve të Jashtme i Koresë së Jugut, Choi Jong-kun, e parashtroi kërkesën gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të Katarit.

Dje në Doha, Jong-kun realizoi takime të ndara me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin al-Thani, si dhe me ministrin e shtetit për punë të jashtme, Soltan bin Saad al-Muraikhi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Jugut njoftoi se Jong-kun kërkoi “mbështetje maksimale të mundshme nga pala e Katarit për të zgjidhur çështjen”.

Të hënën në Teheran, Jong-kun zhvilloi bisedime edhe me homologun e tij iranian, por të dy palët dështuan të arrijnë një marrëveshje.

Irani ka kërkuar nga Koreja e Jugut të “shmangë politizimin e çështjes”, përderisa po bën presion për lirimin e pasurive iraniane me vlerë mbi 7 miliardë dollarë të ngrira në Korenë e Jugut.

Cisterna e naftës e Koresë së Jugut me 20 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë pesë koreano-jugor, u ndalua më 4 janar në Gjirin Persik nga trupat iraniane të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Autoritetet iraniane pretenduan se anija, e cila po transportonte 7.200 tonë etanol në Korenë e Jugut nga porti Al-Jubail i Arabisë Saudite, ka shkelur protokollet mjedisore dhe ka ndotur detin.

Anija aktualisht është në një port në qytetin Bandar Abbas që ndodhet në bregdetin jugor të Iranit.

Tensionet midis Seulit dhe Teheranit janë rritur pasi Koreja e Jugut së fundmi ngriu miliarda dollarë në fondet iraniane nën sanksionet amerikane mbi programin bërthamor të Teheranit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme