Google ADS

A u rrëzua një aktakuzë në Gjykatën Speciale?

20:18 | 13 Janar 2021
Arbresh.info

Një aktakuzë e Prokurorit të Specializuar të Hagës po qëndron që nga 14 shkurti i vitit të shkuar në sirtarët e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake. Për të ende nuk ka asnjë vendim publik për konfirmimin apo hedhjen poshtë, ndonëse rregullat përcaktojnë afatin gjashtëmujor për marrjen e një vendimi.

Po bëhen gati një vit që prej se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë caktimin e një gjyqtari të procedurës paraprake. Më 14 shkurt 2020, Prokurori i Specializuar njoftonte gjykatën se ka ndërmend të fillojë një procedim penal përmes aktakuzës ndaj një apo më shumë ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Kësisoj, në këtë datë gjyqtar i procedurës paraprake ishte caktuar francezi i njohur tashmë për publikun, Nicollas Guillou.

Që nga ajo kohë, mbetet mister se çka ka ndodhur me këtë lëndë. Të njëjtën nuk dihet nëse e ka konfirmuar Gjykatësi, e ka hedhur poshtë apo e ka kthyer në rishiqim për plotësime të nevojshme. Afati i fundit kur gjykata do të duhej të merrte vendim, ishte 14 gushti i vitit që lamë pas.

Angela Griep, zëdhënëse në Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, duke folur për lajmi.net nuk jep një përgjigje definitive mbi atë se çfarë ka ndodhur me këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Ajo thotë se akti i akuzës mbetet krejtësisht konfidencial, derisa gjyqtari të vendos për konfirmimin e saj

“Vetëm nëse apo dhe deri sa një aktakuzë të konfirmohet dhe të bëhet publike nga një Gjyqtar i Procedurës paraprake, ajo mbetet konfidenciale së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj”, thotë Griep.

Zëdhënësja e Gjykatës së Hagës shton se varësisht nga Specifikat dhe rrethanat e rastit, aktakuza mund të bëhet publike edhe pas kalimit të afatit gjashtëmujor.

Megjithatë, dyshimet shtohen në faktin se gjyqtari nuk është i obliguar që aktakuzën ta bëj publike nëse ajo hedhet poshtë.

“Ndërsa Gjyqtari i Procedurës Paraprake, në varësi të specifikave të çështjes, ka deri në gjashtë muaj për të vendosur nëse do të konfirmojë ose hedh poshtë një aktakuzë, Rregullat e Procedurës dhe Provave parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar të bërë publike më vonë se gjashtë muaj pas regjistrimit të tij. Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedurë. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës”, thekson Griep.

“Në të njëjtën kohë, gjyqtari i procedurës paraprake nuk është i detyruar ta bëjë publike nëse hedh poshtë një aktakuzë”, shton Griep.

Pra fakti që Gjyqtari është i lirë të veprojë në kontekstin e zbulimit apo mos-zbulimit të aktakuzës, ngritë dyshime se e njëjta tanimë veçse mund të jetë rrëzuar, marrë parasysh se kanë kaluar pesë muaj që nga kalimi i afatit të përcaktuar për nxjerrjen e një vendimi.

Gjithashtu, kjo lëndë me numër “KSC-BC-2020-04”, vazhdon të jetë e renditur në databazën e të dhënave nga procedimet në Dhomat e Specializuara. Në këtë dosje, përveç vendimit për caktimin e gjyqtarit Guillou, nuk ka asgjë tjetër të publikuar.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për lajmi.net thotë se jo decidivisht kjo aktakuzë është rrëzuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake.

Ai shton përderisa nuk ka një vendim se një çështje është mbyllur, rasti qëndron ende i hapur.

“Jo domosdoshmërisht. Ka shumë opsione, pra derisa nuk vjen vendimi i cili tregon se është mbyllur një çështje ndaj “X” të pandehurit, rasti është ende i hapur”, thotë Miftaraj për lajmi.net.

Nisur nga fakti se aktakuza në fjalë është konfidenciale, nuk dihet nëse ajo përfshinë vetëm një, apo disa të akuzuar. Gjithashtu, nuk dihen as emrat e atyre që janë në këtë aktakuzë.

Deri tash në Gjykatën Speciale janë duke u zhvilluar tri procese gjyqësore.

Në një aktakuzë janë të përfshirë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi të cilët akuzohen në 10 pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu, në një aktakuzë janë të përfshirë Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, krerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Ndaj tyre rëndojnë gjashtë akuza për pengim të drejtësisë.

Ndërkaq, në një aktakuzë si i vetëm është i përfshirë Salih Mustafa, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Njëherit Mustafa është i arrestuari i parë me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme