Italia: Vaksina kineze, kandidat i mundshëm për Evropën

16:24 | 13 Janar 2021
Arbresh.info

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Italiane të Barnave (AIFA), Nicola Magrini, deklaroi se vaksina kineze (Sinovac) e zhvilluar kundër koronavirusit të ri (COVID-19) mund të jetë kandidat i mundshëm për përdorim në Evropë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vaksina kineze (Sinovac) mund t’i nënshtrohet rishikimit evropian. Nëse kalon testet me kujdesin e duhur, ajo mund të jetë një vaksinë tjetër kandidate”, tha Magrini në Radio24, duke theksuar se Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) së shpejti mund ta shqyrtojë vaksinën kineze.

Duke nënvizuar se do ta mirëprisnin konkurrencën në këtë drejtim, Margini theksoi se nëse një gjë e tillë bëhet realitet, atëherë ky do të jetë një mekanizëm interesant si për Kinën, ashtu edhe për Evropën.

“Kjo do të thotë që muret dhe barrierat hiqen, kërkimi dhe prodhimi bëhen me të vërtetë globalë, njëlloj siç është për antibiotikët”, tha ai.

Italia, e cila filloi fushatën e saj të gjerë të vaksinimit me vaksinat Pfizer-BioNTech më 27 dhjetor 2020, siguroi gjithashtu vaksinën Moderna në fillim të javës.

Në Itali deri më tani janë vaksinuar 800.730 persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme