Google ADS

Jozefina Topalli: Gati të bashkoj votat me opozitën, por me kusht, të largohet Basha

15:46 | 13 Janar 2021
A. B.

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli pas krijimit të partisë Lëvizjes për Ndryshim thotë se është e gatshme të bëjë koalicion me opozitën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por vetëm me një kusht: Lulzim Basha nuk duhet të jetë kandidati i opozitës për kryeministër.

“Jam e gatshme të bashkoj votat me opozitën me një kusht, të mos ketë të korruptuar si kryeministër. Domethënë që Lulzim Basha nuk do të jetë kryeministër”, tha Topalli, e ftuar në Ditarin e A2. Megjithatë, Topalli tha se nuk ka ende një emër për kandidatin e saj për kryeministër.

“Por kam një parim, të jetë i pa korruptuar dhe të dojë vendin. Duket e thjeshtë, por tejet e rëndësishme”.

Ajo tha se megjithatë partia e re e ngritur prej saj është që të largojë Edi Ramën nga qeverisja, por edhe t’i japë shqiptarëve mundësinë për të larguar 3 kryetarët, siç i quajti ajo kryeministrin, presidentin dhe kreun e opozitës.

“Nëse do të dimë të kapim momentin e 25 prillit, mund të sjelli, ndryshimin. Duke hyrë brenda, duke i kushtëzuar dhe duke bërë të mundur që të bien nga pushteti dhe arroganca. E di që nuk është e thjeshtë, por e di që është e mundshme. Shqiptarët kanë mundësi që me 25 prill të hedhin votën kundër 3 kryetarëve. Votë dhe protestë. Nëse të rinjtë rrinë në shtëpi, votojnë për 3 kryetarët, nëse dalin e votojnë për Lëvizjen për Ndryshim, faktikisht dalin e votojnë kundër 3 kryetarëve”, tha Topalli.

Deri tani, ish-kryetarja e Kuvendit nuk ka prezantuar emrat e kandidatëve për deputetë të partisë së saj, por këtë, tha ajo, do ta bëjë në ditët e ardhshme. “Nuk janë njerëz të politikës së të kaluarës, janë intelektualë dhe njerëz me reputacion në fushat përkatëse. Kemi nevojë për njerëz normalë, nuk na duhen gjeni”, tha Topalli.

Ajo shtoi se është e gatshme të bëjë koalicion me forcat e tjera politike, por theksoi se, “nuk më lidh asgjë me LSI”. “Të gjithë të tjerët, forcat e reja politike kanë lindur nga politikat e përçarjes të së djathtës. Prandaj është shumë e nevojshme të bashkohemi bashkë, për të pasur një pikë kthese. Në kohë krizash, dhe kjo është kohë krizash, ka edhe mundësi. PS nuk do t’ia kishte dalë kurrë që të merrte mandatin e dytë dhe kam frikë se do të marrë edhe të tretin, nëse opozita nuk do të blihej”.

Për Topallin, misioni kryesor është rikthimi i pluralizmit, pasi sipas saj, mungon në vendin tonë. – “Pozitë dhe opozitë janë bashkë. Mbase shqiptarët nuk i dinë ca gjëra që ne i dimë, por e kanë kuptuar që ata janë bashkë. Kur disa qytetarë u ngritën kundër taksës së kombit, kryetari i opozitës e mbylli shpejt e shpejt. Kishte rastin për të fituar betejën, por e zëvendësoi me interesin e familjes së tij. I biri i atij që do të ndërtonte kullat është në radhën e kandidatëve të opozitës. Opozita premtoi lista të hapura, por nuk bëri asgjë të tillë. Sepse ishin bashkë dhe po të shohësh kodin zgjedhor kanë bërë gjithçka që të mos lejojnë partitë e reja, që të “mbretërojnë” në skenën politike të paktën për 15 vite. Ata janë bashkë, kanë pazare. E vetmja gjë që qytetarët shohin kur protestojnë është shantazhi që i bëjnë njëri-tjetrit, dhe kjo është e frikshme”.

E pyetur për marrëdhënien me liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Topalli tha se nuk është konsultuar për krijimin e forcës së re politike. “As nuk i kam kërkuar, as nuk i marrë mendim kur kam marrë vendimin. Është një vendim i marrë pas një dëshire, për të sjellë ndryshim brenda së djathtës, kemi marrë një vendim për të ndryshuar Shqipërinë, por është për ta ndryshuar. A do ta pranojë kushtin për të mos pasur Bashën kryeministër? Kjo nuk është pyetje për mua, por e kam të prerë. Pavarësisht, çfarë mendojnë disa njerëz që nuk mendojnë si unë, por unë kam respekt”, tha Topalli lidhur me ambicjet e saj politike para zgjedhjeve të 25 prillit. //a.m/NOA.al

/a.m/NOA.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme