FBI-ja thotë se kishte informacione zbulimi për dhunë të mundshme para trazirave në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.
Në një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjet e së mërkurës së kaluar, ku humbën jetën pesë vetë, pasi mbështetës të Presidentit Donald Trump hynë me forcë në ndërtesën e Kongresit, ndihmës drejtori i FBI-së, që drejton zyrën e Uashingtonit, Steven D’Antuono, e konfirmoi një gjë të tillë.
Më herët gazeta Washington Post njoftoi se një zyrë e FBI-së në Virxhinia kishte lëshuar një paralajmërim të brendshëm një ditë para se protestuesit që mbështesnin Presidentin Donald Trump të sulmonin Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, sipas së cilit, ekstremistët po planifikonin të vinin në Uashington dhe po flisnin për “luftë”.
“Në një varg postimesh në internet diskutoheshin thirrje konkrete për dhunë, përfshirë ‘bëhuni gati për të luftuar. Kongresi duhet të dëgjojë xhama që thyhen, dyer që rrëzohen me forcë, dhe gjakun e dedhur të ushtarëve të tyre skllevër të Black Lives Matter dhe Antifa-s’, thuhet në dokumentin e siguruar nga Washington Post.
“‘Bëhuni të dhunshëm. Mos e quani më marshim, tubim ose protestë. Shkoni të gatshëm për luftë. Ose fiton Presidentin ynë ose vdesim. ASGJË tjetër nuk do ta përmbushë këtë qëllim’”, thuhet në dokument.
Ndërkohë në konferencën për shyp, zoti D’Antuono tha se FBI-ja ka hapur 160 dosje çështjesh në hetimin për sulmin në Kapitol.
Ai tha se FBI-së i ishin dërguar 100,000 video dhe fotografi nga persona të ndryshëm.
Prokurori në detyrë i Distriktit të Kolumbias, Michael Sherwin tha se janë ngritur akuza për 70 çështje deri tani, dhe ai pret që ky numër të arrijë në qindra.
Në Shtetet e Bashkuara, po rriten shqetësimet se sulmet ndaj Kapitolit javën e kaluar nga ekstremistët që mbështesin Donald Trump mund të kenë qenë fillimi i një sërë protestash ndoshta edhe me armë dhe të dhunshme në të gjithë vendin që në ditët deri në inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, më 20 janar.
Byroja Federale e Hetimeve, FBI i tha të hënën Zërit të Amerikës se po analizon të dhëna që sugjerojnë se disa grupe ose individë mund të kërkojnë të nxisin dhunë ose të përfshihen në veprimtari kriminale në lidhje me transferimin e pushtetit./VoA/
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen