Lajçak: Për vazhdimin e dialogut duhet të presim një qeveri të re në Kosovë

19:36 | 12 Janar 2021
Arbresh.info

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka konfirmuar se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, pa përfunduar procesi zgjedhor në Kosovë.

“Nuk është momenti për të organizuar një takim të ri. Ne kemi nevojë për një qeveri të re me një mandat të fortë që do të vazhdojë procesin e dialogut”, tha Lajçak. Ai mori pjesë në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, për të diskutuar bashkëpunimin e SHBA-së dhe Evropës me Ballkanin Perëndimor.

Duke komentuar ndryshimet në administratën amerikane që do të ndodhin pas inaugurimit të demokratit, Joe Biden, si president i Shteteve të Bashkuara, më 20 janar, Lajçak tha se ishte i inkurajuar nga emërimet e reja në administratën e ardhshme, të cilat, siç tha ai, “nuk kanë nevojë për mësime rreth rajonit” sepse ata janë njerëz që kanë njohuri me proceset në Ballkanin Perëndimor.

“Jam optimist sepse administrata e re po emëron njërëz që e njohin Ballkanin Perëndimor, që ndjejnë përgjegjësi për rajonin. Ata që tashmë janë emëruar, nuk kanë nevojë që të marrin ligjerata për rajonin. Është administratë e re, por që po emëron njerëz të dëshmuar si partner të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun, pranoi se nuk kishte pasur asnjë koordinim midis Brukselit dhe Uashingtonit në vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar, kishte padyshim dy pista: evropiane dhe amerikane. Nuk ishte zgjedhja jonë të shkonim veç e veç. Partnerët tanë në rajon ishin të hutuar sepse nuk donin të ishin në një pozitë nga e cila duhej të zgjidhnin anë”, tha Lajçak.

Ai vuri në dukje se procesi i dialogut do të shënojë së shpejti dhjetë vjetorin e tij dhe se është koha për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për të arritur këtë, ai tha se është e nevojshme që politikanët të jenë në gjendje ta “shesin” atë dokument për publikun, por gjithashtu “do të nevojiten disa ndryshime ligjore dhe kushtetuese në këto vende, si dhe mbajtja e një referendumi të mundshëm”.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se askush nuk mund të garantojë që pas një marrëveshjeje të mundshme Kosovë-Serbi, pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, do ta njohin atë.

Kjo, sipas tij është një çështje e brendshme e këtyre vendeve megjithëse, siç tha, ka sinjale se ato po përcjellin me vemendje procesin e dialogut.

“Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju thoja: me jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, tha Lajçak.

“Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, nënvizoi Lajçak, duke konfirmuar se është në kontakt me këto vende.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.

Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.

Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.

BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump. /rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme