Në kuadër të vizitës dy ditore në Bruksel, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr.Vjosa Osmani, është takuar me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
U.d. Presidentja shprehu mirënjohjen e saj ndaj BE-së për përkrahjen e vazhdueshme të BE-së për Republikën e Kosovës, e sidomos përgjatë periudhës së përballjes me pandeminë Covid-19. U diskutua lidhur me mbështetjen e mëtejme të BE-së në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës si dhe për Planin e investimeve ekonomike, transmeton arbresh.info.
Ajo tha se procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.
“Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se mungesa e ambicies ose angazhimit nga secila palë në procesin e integrimit evropian do të thotë që mbështetja dhe besimi i qytetarëve në rrugën e integrimit në BE mund të dëmtohet”, ka potencuar ndër të tjera u.d. Presidentja Osmani.
Znj. Osmani ka ritheksuar faktin se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret formale për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Në këtë kontekst, u.d. Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi, teksa kërkoi edhe ndihmën e Komisionit Evropian për t`i bindur shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sa i përket dialogut me Serbinë, u.d. Presidentja Osmani potencoi nevojën e unifikimit të gjithë spektrit politik në vend rreth këtij procesi në mënyrë që ai të përfundojë suksesshëm. Ajo kërkoi që BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë në mënyrë që ky shtet t`i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel./Arbresh.info
Kryeministri rumun pranon se Kosova luajti mirë, por thotë s...
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut: Mbledhja e pë...
Ahmeti, Qeverisë së Kosovës: Mos heshtë për shqiptarët në RM...
Të paktën 11 të vrarë, 89 të plagosur nga sulmi rus në Ukrai...
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...