Eto’o e zgjedh pasardhësin e Messit në Barcelonë

09:32 | 12 Janar 2021
A. B.

Ansu Fati është ylli dhe njeriu i duhur për të qenë pasardhës i Lionel Messit në Barcelonë, sipas ish-sulmuesit të klubit katalonas, Samuel Eto’o.

Koha e Messit në Barcelonë ende nuk ka mbaruar, edhe pse argjentinasi nuk e ka vazhduar marrëveshjen me klubin akoma, por ish-bashkëlojtari i tij beson se katalonasit e kanë në radhët e veta liderin e së ardhshmes.

Fati, 18 vjeç, i ka shënuar 13 gola në 43 paraqitje për Barcelonën që prej debutimit sezonin e kaluar.

Dhe me Messin që mund të largohet në verë kur edhe i përfundon ujdia me klubin, Eto’o beson se Fati është i duhur për ta zënë vendin e gjashtë herë fituesit të Topit të Artë.

“Mendoj se ai (Ansu Fati) është njeri i duhur për të ardhmen”, tha Eto’o për SPORTbible.

“Ai po bën gjëra të mahnitshme tani, prandaj mendoj se klubi duhet të kujdeset shumë mirë për të”.

“Të shpresojmë se ai është i duhuri për ta zëvendësuar Messin”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme