Kryediplomati turk pritet të vizitojë Pakistanin

19:51 | 11 Janar 2021
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, më 13 dhe 14 janar do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Pakistan.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës “do të shqyrtohen marrëdhëniet dypalëshe, si dhe do të diskutohen marrëdhëniet rajonale dhe globale”.

“Përgatitjet e takimit të shtatë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Pakistan po ashtu do të koordinohen gjatë takimeve”, njoftoi ministria turke.

Çavuşoğlu po ashtu do të marrë pjesë në takimin e dytë trilateral të kryediplomatëve Turqi-Pakistan-Azerbajxhan.

Në kuadër të vizitës, ai zyrtarisht do të përuroj kompleksin e ri të Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Karachi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit po ashtu lëshoi një njoftim në lidhje me vizitën e ministrit Çavuşoğlu.

Duke theksuar se Çavuşoğlu do të zhvillojë bisedime me homologun e tij pakistanez, Shah Mahmood Qureshi, si dhe me kryeministrin dhe presidentin e vendit, ministria pakistaneze njoftoi se gjatë vizitës do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Më tej, në njoftim po ashtu u theksuan marrëdhëniet vëllazërore midis Turqisë dhe Pakistanit, duke shtuar se vizita e ministrit Çavuşoğlu vjen si pjesë e shkëmbimeve të rregullta të nivelit të lartë midis vendeve.

“Vizita e ardhshme e ministrit të jashtëm turk do të ndihmojë në thellimin e mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe dhe rritjen e bashkëpunimit në shumë fusha”, tha ministria pakistaneze./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme