Ministrja Vlora Dumoshi ka pritur në takim sot artisen e re Melisa Ibrahimi, pianiste e cila gjatë vitit 2020 ka fituar shumë çmime në garat ndërkombëtare për piano, që ajo ka marrë pjesë, si në Moskë të Rusisë, në Bavari të Gjermanisë, Itali, Beograd të Serbisë.
Me këtë rast, artistja Ibrahimi e njoftoi për përvojën e saj gjatë vitit që lamë pas, duke treguar për çmimin e parë që ajo ka fituar në muzikë klasike me piano, në Moskë të Rusisë, në garën “International Music Competition Moskow, Russia”, ku ka luajtur për 40 minuta Appassionata të Betovenit në një garë me 25 finalistë, garues nga e tërë bota. “Gara për shkak të pandemisë është organizuar online, dhe na është dashur të përgatitemi si në aspektin profesional artistik ashtu edhe në atë teknik, por ia kemi dal suksesshëm”, shpjegoi Melisa Ibrahimi, duke folur edhe për dy çmime tjera që ajo ka fituar në Bavari të Gjermanisë, si dhe vendin e dytë në Beograd të Serbisë.
“Si rezultat i pjesëmarrjes dhe sukseseve në këto gara ndërkombëtare, këtë vit do të marrë pjesë në një garë në Spanjë ku do të jemi 20 finalistët më të mirë të botës dhe do të performoj në shtëpinë e Betovenit në Gjermani”, e informoi ministren artistja Ibrahimi.
Ajo tha se e falënderon mësuesen e saj të pianos Alberta Troni për suksesin deri ku ka arritur. Melisa Ibrahimi përmendi se deri tani askush nuk i ka ofruar përkrahje përpos Ministrisë e cila në thirrjen e fundit nga fondi emergjent e ka ndihmuar artisten.
Ndërkaq, ministrja Dumoshi, tha se personalisht ndjehet e lumtur që ka rastin të takojë artisten në fjalë, gjë që tregon se Kosova ka të rinj shumë të talentuar në shumë fusha.
“Është kënaqësi të shohim të rinjtë tanë të tregojnë suksese në ngjarjet dhe garat ndërkombëtare. Dihet që Rusia ka traditë në artin muzikor dhe që ka shumë talente e një artiste nga Kosova të ngadhënjejë atje vërtetë është një ngjarje që meriton vëmendje dhe ju si artiste e re meritoni që të përkraheni edhe më shumë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.
“Shteti duhet të kujdeset për artistët dhe të rinjtë që kanë vullnet dhe afinitet për t’u marrë me art e sport, sepse kur arrihen suksese nga të rinjtë tanë ato nuk janë vetanake sepse çdo përfaqësim është edhe prezantim shtetëror. Identifikimi i të rinjve si ju që kanë prirje në një fushë të caktuar është obligim i institucioneve dhe i shoqërisë dhe duhet të mbështeteni pa mëdyshje, për arsye se ne si Kosovë përfaqësohemi më pas sa më mirë dhe sa më suksesshëm. Si ministri në vazhdimësi jemi munduar të mbështesim të rinjtë e talentuar dhe personalisht unë dua të të uroj për sukseset e tua dhe si një përkrahje morale si ministre kam përgatitur një mirënjohje” i tha ministrja Dumoshi artistes së re Melisa Ibrahimi.
Melisa Ibrahimi, është artiste nga Mitrovica. Po ashtu, ajo është edhe basketbolliste e cila luan për përfaqësuesen e Kosovës U20.
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...