Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka anuluar listën përfundimtare të fituesve në thirrjen për financimin e organizatave joqeveritare, për projektet që përkrahin nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti.
11 Organizata Joqeveritare ishin përcaktuar që kanë plotësuar kriteret që të realizojnë projektet e tyre për të cilat ishin paraparë më shumë se 170 mijë euro.
Mirëpo, pas ankesave, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave, brenda MASh, ka përpiluar një raport prej 36 faqesh, ku kanë renditur gjetjet e tyre për ato që i konsiderojnë parregullsi tek aplikacionet e OJQ-ve.
“Komisioni ka konstatuar se, propozim projektet, nuk do të ndikojnë në sjelljen e risive dhe në përmirësimin e situatës në fushën e identifikimit të nxënësve me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti”, thuhet në arsyetimin e komisionit.
Në raport, renditen shkaqet që kanë çuar deri tek anulimi i listës fituese.
Në to mbizotëron konflikti i interesit, që Komisioni për Ankesa ka konsideruar që përfaqësuesit e organizatave, që njëkohësisht janë edhe profesorë universitarë nuk kanë të drejtë aplikimi.
“Përfshirja e zyrtarëve ose profesorëve nga Universitetet Publike/Shtetërore është konflikt interesi” theksohet në raport.
Po ashtu, në disa nga aplikacionet sipas kryetarit të Komisionit për Ankesa, Agim Krasniqi, udhëheqësit e projektit “kanë caktuar pagë vetës” prej dy mijë eurosh, përkundër që ky buxhet i dedikohet talentëve dhe sipas tij, kjo shumë është në diskrepancë me pagën mesatare.
“Disa subjekte apo OJQ, kanë pasur konflikt interesi në lidhje me buxhetin e përcaktuar nga Ministria e Arsimit por njëkohësisht, çka ka qenë përcaktuese, pagat ekstreme të larta të përcaktuara nga disa individ që figuron të jenë profesor universitar dhe i kanë përcaktuar vetës paga ekstreme prej 2 mijë eurosh”, deklaroi Krasniqi për Klan Kosova.
A ka konflikt interesi e paga mijëra euroshe për drejtuesit e OJQ-ve?
Shuma e cekur në raport, në fakt po del të jetë jo pagë mujore, por për gjithë vitin ku përfshinë të gjitha angazhimet për aq sa zgjatë projekti.
Nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, të cilët dolën të parët në listën e fituesve, e që u tha se përfaqësuesi i autorizuar i kësaj OJQ-je i ka ndarë vetës pagën në vlerë prej dy mijë eurove, thonë se kjo akuzë është gënjeshtër e pastër.
Këta arsyetojnë se bëhet fjalë për kompensim për 12 muaj për menaxherin e projektit, që i bie 167 euro në muaj.
Po ashtu, Valmir Krasniqi nga kjo shoqatë, demanton se ka konflikt interesi, marrë parasysh se drejtori i tyre është edhe profesor universitar. Krasniqi deklaroi se neni 18 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (ku thirret komisioni), rregullon çështjen e interesave biznesore.
Duke qenë kështu, këta do t’i drejtohen organeve të rendit.
“Për këto dy arsyetime ne do të ngrisim padi ndaj anëtarëve të komisionit, sa i përket konfliktit të interesit, Shoqata e Matematikanëve, do t’i drejtohet Agjensionit Kundër Korrupsionit, dhe do ta qartësojmë se nuk ka pasur konflikt interesi”, tha Krasniqi.
Me organet e rendit sipas tij, për shpifje, trillime e fshehje të informacioneve do të përballen edhe dy ish anëtarët e jashtëm të komisionit vlerësues.
Sipas ShMK, me dy ish anëtarët është bërë shkelje edhe duke u obliguar t’i ndihmojnë Komisionit të Ankesave për ta shqyrtuar punën e Komisionit të shkallës së parë.
Në fakt, kjo shoqatë ka evidentuar edhe parregullsi të tjera siç është mungesa e transparencës duke mos i publikuar dokumentet publike, e duke mos i njoftuar fare palë me vendimet e Komisionit të Ankesave.
Gjithë kjo sipas tyre lidhet me një konflikt të brendshëm të dy komisioneve brenda MASh, e në atë për ankesa, dyshojnë edhe në ndikime politike.
(Mos) Përfshirja e ish zëvendësministrit të Arsimit, Jusuf Thaçi, në këtë konkurs
Në raportin e Komisionit të Ankesave, është theksuar se Institutit ATOMI, nuk plotëson kriteret, dhe një nga arsyet është se ish zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, është përfaqësues i tyre, gjë që sipas komisionit përbën konflikt interesi.
“Sipas ankesës në këtë OJQ përfshihen Profesor dhe zyrtar të Universitetit Publik dhe përfaqësuesi i tyre është ish-zëvendës ministër i MASh dhe kjo përbën konflikt interesi nga neni 18 paragrafi. 1.1, 1.2, 1.3 Ligjit për konfliktin e interesit”.
Komisioni vazhdon arsyetimin se, Thaçi, është akoma anëtar i bordit në OJQ, ndërkaq këtë thekson se nuk lejohet të punësohen ish zyrtarët e lartë në OJQ për një periudhë dy vjeçare edhe pas përfundimit të mandatit.
Ai për Klan Kosova, deklaroi se të gjitha pretendimet e komisionit janë të paqëndrueshme dhe i demanton ato.
“Ata kanë thënë se Jusuf Thaçi është anëtar i Bordit Drejtues dhe Përfaqësues i Institutit ATOMI. Sipas tyre, këtë e kanë konfirmuar në ueb faqen e Ministrisë së Administratës Publike (MAP) në regjistrin publik të OJQ-ve. Edhe këto pretendime janë mashtrime. Së pari, në ueb faqen e MAP-it (në regjistrin publik të OJQ-ve) nuk publikohen fare emrat e anëtarëve të bordit, por publikohen emrat e themeluesve të OJQ-së (normalisht që unë jam themelues dhe emrat e themeluesve nuk ndryshohen asnjëherë, sepse ky është një akt i ndodhur në të kaluarën dhe nuk ndryshon asnjëherë). Nëse ata nuk e dinë dallimin mes Themeluesit dhe Anëtarit të Bordit, kjo është për çdo keqardhje. Sy dyti, sa i përket Përfaqësuesit të organizatës, që nga shkurti 2020 Naime Hoxha është Përfaqësuese e organizatës. Ky fakt është publik në ueb faqen e MAP-it (në regjistrin publik të OJQ-ve). “, deklaroi Thaçi.
Ai shton se kur Instituti ATOMI, ka aplikuar në MASh për subvencione, në aplikim e ka bashkangjitur edhe letërkonfirmimin nga MPB, ku konfirmohet se Naime Hoxha është përfaqësuese e autorizuar e Institutit ATOMI.
Ndërkaq për mospërfshirjen e profesorëve universitar, Thaçi, e quan “shpikje epokale” dhe pa bazë ligjore.
“…sipas ligjit të punës, secili person ka të drejtë të punojë edhe një punë (me gjysmë orari) përveç punës kryesore me orar të plotë. Së dyti, sipas interpretimit të tyre, del se OJQ-të e paskan të ndaluar të angazhojnë e punësojnë njerëzit më kompetentë në vend (që janë profesorët universitarë), në ndërkohë që qëllimi kryesor i OJQ-ve duhet të jetë, në këtë rast është qëllim i Institutit ATOMI, që të punësojë personat më profesionalë e më kompetentë për të ofruar shërbimet e veta në interes e në shërbim të publikut (në këtë rast të atomistëve). Pretendimi absurd i tyre se profesorët universitarë paguhen nga MASH, prandaj nuk mund të punësohen nga OJQ-të që aplikojnë për subvencione në MASH është qesharak!” thuhet në përgjigjen e tij.
Thaçi, demanton po ashtu që ATOMI, është shkollë private, siç është kategorizuar në raportin e Komisionit për Ankesa.
Në konflikt interesi, sipas komisionit është edhe Shoqata e Kosovare e Fizikës, për faktin që përfaqësuesi i autorizuar i tyre, Sadik Bekteshi, është i punësuar edhe në Universitetin e Prishtinës, e vazhdon që të njëjtit i është caktuar pagë prej dy mijë eurosh nga shoqata.
Bekteshi, përmes telefonit tha për Klan Kosova, që nuk bëhet fjalë për pagë siç është theksuar, por aty përfshihen të gjitha shpenzimet e parapara për 12 muaj në lidhje me garat e parapara në projekt.
Në nenin 18 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili është marrë për bazë në disa raste në raport:
“Neni 18:
Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike
1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:
1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit
të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në
kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse
të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin
publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të
funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo
sanksionimin e aktivitetit të tyre;
1.2. të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë
personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një
periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik;
1.3. të përfaqësojë, ndihmojë ose këshillojë ndonjë person fizik ose juridik, drejtpërdrejt”.
Vendimi për listën fituese që u publikua me 11 shtator të vitit 2020 nga ana e Komisionit Vlerësues që doli pa nënshkrimin e dy anëtarëve të jashtëm, fillimisht ishte pezulluar pas ankesave. Ndërkaq në raportin që qoi deri në anulimin e këtij konkursi, Komisioni i Ankesave, ka paraqitur telashet që ka pasur me atë vlerësues.
Muaj më parë, kur vendimi i tyre ishte pezulluar automatikisht, drejtuesi i Komisionit Vlerësues ishte shprehur për Klan Kosova, se veprimet e Komisionit të Ankesave janë të jashtëligjshme.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...