Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, bazuar në paralajmërimet e Ministrisë së Arsimit, me gjasë edhe gjysmëvjetorin e dytë do ta zhvillojnë jashtë bankave shkollore, apo sipas modelit online ashtu sikur edhe në pjesën e parë të vitit shkollor.
Por, kjo vazhdon të kundërshtohet nga Unioni i Shkollave të Mesme, por edhe nga profesorë e shoqata tjera që tubojnë mësimdhënësit, të cilët vlerësojnë se nxënësit duhet të kthehen në shkolla, në veçanti pas përmirësimit të gjendjes epidemiologjike.
“Javën tjetër duhet të kemi një takim me ministrin e Shëndetësisë, me ministren e Arsimit, por edhe me kryeministrin për të biseduar për temën e rihapjes së shkollave dhe meqë është stabilizuar gjendja epidemiologjike, ne qëndrojmë pas asaj që e kërkonim në shtator dhe tetor për rikthimin e nxënësve në banka diku nga fundi apo fillimi i muajit mars, kuptohet me një model të ndryshëm, jo menjëherë të gjithë të kthehen”, ka deklaruar Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Shkollave të Mesme.
Ai, por edhe mësimdhënës të shumtë, konsiderojnë se mësimi online që është zhvilluar në gjysmëvjetorin e parë, nuk ka dhënë efektet e duhura, meqë shumë nxënës për shkak të mungesës së kushteve nuk kanë pasur mundësi të inkuadrohen në mësim online, ndërsa kanë vërejtje edhe për mënyrën e vlerësimit të nxënësve, mosrealizimin e mësimit praktik për drejtimet profesionale e lëshime tjera.
Xheladin Murati, profesor i Pedagogjisë, mbështet kërkesat e nxënësve, ndërsa i vlerëson të mëdha dëmet që ata kanë pësuar nga mësimi nga distanca.
Kërkesën për kthimin e nxënësve në shkolla, ai e arsyeton me gjendjen e mirë epidemiologjike, por edhe në ngritjen e vetëdijes së nxënësve si dhe të personelit mësimor për mbrojtje nga përhapja e virusit.
“Mbështes kërkesat që nxënësit të kthehen në shkolla dhe mësimi të zhvillohet me prani fizike. Vlerësoj se nxënësit janë më të aftësuar për t’u mbrojtur nga koronavirusi, ndërsa kujdesi i mësimdhënësve do të jetë gjithashtu në nivel më të duhur, kurse edhe kujdesi i prindërve do të jetë në nivelin e pritur. Këto tri subjekte e formojnë arsyen e plotë se nxënësit duhet të shkojnë në shkollë me praninë fizike të tyre. Kthimi i nxënësve në shkollë paraqet elementin themelor për shkak se nxënësi me arsimtarin janë në kontakt, këmbejnë mendime, zhvillojnë emocionet, afirmojnë vlera ndërsa mësimi nga distanca nuk ka edukatë”, thotë Murati.
Por, ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ditë më parë tha se institucioni që ajo drejton, mban llogari së pari për shëndetin e nxënësve dhe të të punësuarve në shkolla dhe se për momentin planifikohet që mësimi të vazhdojë online edhe në gjysmëvjetorin e dytë. Por, ajo nuk përjashton mundësinë e ndonjë ndryshimi nëse vërtet gjendja përmirësohet.
“Konsiderojmë se është më e sigurt që edhe gjysmëvjetori i dytë të vazhdojë ashtu siç edhe filloi, me mësim nga distanca me qëllim që numri i rasteve pozitive me koronavirusin në sistemin arsimor të mbetet në nivelin që kemi. Vlerësoj se mësuesit, nxënësit dhe prindërit i janë përshtatur sistemit të ri për mësim, prandaj për momentin nuk mendojmë për ndryshime, por në rast se ka ndryshime radikale të gjendjes epidemiologjike sigurisht që kjo çështje do të shqyrtohet nga Komisioni për sëmundje infektive, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit”, ka deklaruar Carovska.
Sipas të dhënave të institucioneve, numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me koronavirus është i papërfillshëm, madje shifra nuk e kalon as një përqindëshin e më shumë se 85 mijë të infektuarve me COVID-19./REL/
Katari pezullon rolin ndërmjetësues për luftën në Gazë
Burimi planifikon që pas BBVK të punojë kamarier
PSG merr një fitore solide në udhëtim ndaj Angers
Las Vegasi mbulohet nga bora, qytetarët thonë se nuk kanë pa...
NATO i përgjigjet vendosjes së trupave të Koresë së Veriut n...
“T’ua humbim buxhetin djemve”, Gresa ia tregon planin Sarës