Kosova në dhjetë muaj pandemi

08:04 | 10 Janar 2021
L G

Kosova ka hyrë në muajin e dhjetë të përballjes me pandeminë. Nga marsi e deri më tani, në vend janë shënuar 53 mijë e 523 raste me koronavirus.

Nga ta, 45 mijë e 613 janë shëruar, 1 mijë e 375 kanë vdekur dhe 6 mijë e 635 të tjerë janë ende duke u përballur me COVID-19.

Më 13 mars, në Kosovë janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus, ndërkaq tani, pas gati dhjetë muajsh, shifrat kanë shënuar rritje të madhe.

Deri të shtunën e 9 janarit, në vend janë konfirmuar 53 mijë e 523 raste pozitive me koronavirus, nga 194 mijë e 475 mostra të testuara.

Këtë të shtunë u raportuan edhe 11 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit, duke çuar në 1 mijë e 375 numrin e personave të vdekur.

Nga numri total, deri më tani janë shëruar 45 mijë e 613 persona, ndërkaq 6 mijë e 535 të tjerë janë duke u përballur ende me koronavirusin.

Ndërkohë, komuna me më së shumti raste pozitive në vend vazhdon të mbetet Prishtina.

Të shtunën në kryeqytet u konfirmuan edhe 78 raste të reja me koronavirus, derisa numri i të infektuarve nëpër komunat tjera është më i vogël.

Ndërkohë, për parandalim të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës nga fillimi i shfaqjes së rasteve të para e deri më tani, ka marrë një sërë masash.

Masat që janë tani në fuqi, kufizojnë lëvizjen e qytetarëve dhe punën e lokaleve të gastronomisë, varësisht zonës që gjenden qytetet, sipas numrit të të infektuarve gjatë një jave.

Momentalisht, Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë në zonën e kuqe, apo të rrezikut të lartë të përhapjes së virusit.

Në zonën e verdhë, atë të rrezikut mesatar për përhapje të virusit, janë Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Lipjani, Podujeva. Vushtrria, Parteshi dhe Juniku.

Në zonën e gjelbër, apo të rrezikut të ulët të përhapjes së virusit, janë Gjakova, Kllokoti, Kamenica, Peja, Drenasi, Skenderaj, Istogu, Deçani, Shtëprca, Klina, Shtimja, Novobërda, Vitia, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Rahoveci, Malisheva, Hani i Elezit, Dragashi, Mamusha, Gjilani, Ranillugu dhe Graçanica./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme