Google ADS

Drita, gati për titullin e tretë në katër vitet e fundit

11:07 | 8 Janar 2021
Arbresh.info

Mision të vështirë e ka vlerësuar trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, mbrojtjen e titullit të kampionit të Kosovës në futboll.

Por, trajneri shkupjan ka besim te futbollistët e tij. Është i bindur se kanë forcë për t’i bërë ballë çdo skuadre në rrugëtimin drejt suksesit të radhës.

Nuhiu në një intervistë për “KOHA”, ka konfirmuar se synim i Dritës është mbrojtja e titullit të kampionit.

Drita stinorin vjeshtor të Superligës e mbylli në vendin e parë, kurse përgatitjet për stinorin pranveror i ka nisur ditë më parë.

Drita të enjten zhvilloi stërvitjen e radhës, ndërsa planifikohet që fazën finale të përgatitjeve ta zhvillojë në Antalya.

Nuhiu ka theksuar se në Turqi, Drita planifikon t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore.

Ai ka thënë se Drita nuk ka nevojë për ndonjë përforcim të madh gjatë këtij afati kalimtar. Nuhiu i beson ekipit fitues.

Drita është skuadra më e suksesshme kosovare në garat evropiane. Ka arritur deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në raundin e tretë u eliminua nga skuadra e njohur polake, Legia.

Futbollistët e Dritës shpresojnë të dalin sërish kampion e më pas suksesin e Ligës së Evropës ta arrijnë në Ligën e Kampionëve.

Drita pret që shpejt t’i kthehen nga lëndimet portieri i parë Faton Maloku dhe mbrojtësi Ardian Cuculi, ndërsa nuk ka planifikuar të largojë ndonjë futbollist.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme