VV-ja e bindur se Kurti do ta udhëheqë listën e partisë në zgjedhje

21:00 | 7 Janar 2021
L G

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, është shprehur i bindur se liderit të kësaj partie, Albin Kurti, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për deputetin Etem Arifi, nuk ia ndalon kandidimin për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse Kushtetuesja vendosi se personat e dënuar për vepra penale me vendim të prerë nuk mund t’i hyjnë garës zgjedhore – e të dënuar për vepra penale janë edhe anëtarët e VV-së Albin Kurti e Albulena Haxhiu – Konjufca ka thënë se vepra për të cilën ishte dënuar Kurti ishte në kohën e Kodit të vjetër Penal dhe dënimi i tij ishte me kusht duke përjashtuar ndërlidhje me dënimin efektiv ndaj deputetit Arifi.

“Kushtetuta ia garanton Kurtit që ajo që iu ka shqiptuar përmes veprës së tij, që kategorizohet si dënim me kusht, për këtë Albin Kurtit edhe po të çohet krejt bota nuk mundet me ia ndalu të kandidojë për deputet. Jam shumë i bindur për këtë. Kanë qejf me ia ndalu, po s’munden”, ka thënë ai në Desku në KTV.

Ai po ashtu tha se aktgjykimi i Kushtetueses është “vepër” e atyre që nuk kanë më çfarë të ofrojnë, pos siç tha ai “mjegull”

“Kjo çështje është ngritur prej atyre që duan të ngrenë mjegull, i kanë humbur të gjitha mjetet tjera, pos mjegullës. Humbën legjitimitetin, e humbën një qeveri përmes së cilës e rrëzuan Qeverinë Kurti, e humbën përmes kushtetueses edhe këtë pushtet. Po ta studiojmë opinionin i kanë humbur edhe zgjedhjet e ardhshme dhe tash e kanë një metodë për ta luftuar VV-në, shpërndarjen e frikës te qytetarët që t’i ç’orientojnë ata. Vendimi i Kushtetueses nuk do të ketë kurrfarë pasojash, pos zgjedhjeve të reja”, ka thënë Konjufca.

“Struktura e veprave penale është shumë qartë e shpjeguar në Kodin Penal të RKS-së, sa herë e shqiptojmë fjalën vepër penale, nuk mundesh me thonë nuk më intereson Kodi Penal, është parimi i ligjshmërisë. Çdo student që e ka kaluar vitin e parë në juridik e di që kjo është elementare”, ka thënë ai.

Konjufca tha se dënimi me kusht, gjoba dhe shqiptimi i vërejtjes gjyqësore nuk kanë sanksione juridike.

“Personi që është dënuar për këtë vepra nuk mundesh me ia ndalu asnjë të drejtë, këtë s’mund ta bëjë as Kushtetuesja, përveçse kur të shqiptohet dënim tjetër plotësues që ta cenon të drejtën në mënyrë eksplicite”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme