Kryeministri Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet Propozim-Vendimit të Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, tha se vendimi për të dërguar FSK-në në misione paqeruajtëse jashtë vendit konfirmon besimin që kanë aleatët ndaj Kosovës.
“Përtej simbolikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së na bën krenar edhe për faktin se ai do të bëhet në bashkëpunim të plotë me Gardën e Ajovës që ka dhënë mbështetje të madhe për ne”.
Hoti thotë se ky mision tregon se Republika e Kosovës merr përgjegjësinë për paqen globale në botë.
“Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqeruajtëse. E kemi provuar këtë para dy dekadave…Me këtë vendim ne sot renditemi krahë partnerëve tanë për të siguruar paqen në botë”, ka deklaruar më tej Avdullah Hoti./arbresh.info/
Fjalimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Gardës Kombëtare të AJOVËS, në misionin paqeruajtës me qëllim të sigurimit të stabilitetit rajonal në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane (U.S. Central Command – USCENTCOM).
Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas kërkesave ligjore, vendimin e saj e ka adresuar në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim, si organi më i lartë që autorizon dërgimin e trupave të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.
Përparimi i vazhdueshëm, në aspektin operacional dhe profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve tanë, kanë bërë që FSK-ja të fitojë besimin e partnerit tonë kryesor strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të qenë krah forcave paqeruajtëse amerikane në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.
Kjo mundësi që na jepet konfirmon besimin e partnerëve strategjikë për rolin e Kosovës, jo vetëm në sigurinë rajonale, por edhe në sigurinë ndërkombëtare.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta dërguar FSK-në në misione paqeruajtëse jashtë vendit tregon se Kosova mbetet e përkushtuar ta rrisë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera aleate.
Këtë mision duhet ta konceptojmë, jo vetëm si një detyrë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, por si një konfirmim të rrugëtimit tonë drejt integrimeve euroatlantike.
Përtej simbolikës, që është tepër domethënëse për secilin prej nesh dhe për secilin qytetar të Republikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së na bënë krenarë edhe për faktin se ai do të realizohet në bashkëpunimin të plotë me Gardën Kombëtare të AJOVËS, e cila ka dhënë ndihmesë të paçmueshme për profesionalizimin e FSK-së.
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Ndjehem i privilegjuar që në mandatin e kësaj Qeverie, Republika e Kosovës, edhe në fushë të sigurisë, po bëhet pjesë e familjes së madhe të kombeve të lira.
Kjo nënkupton se ne, si çdo komb tjetër sovran në botë, po marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për paqen globale, mirëqenien dhe sigurinë e përgjithshme.
Sot, së bashku, ju ftoj ta pohojmë njëzëshëm para miqve dhe botës mbarë, se ne jemi të ndërgjegjshëm dhe besimplotë jo vetëm për mundësitë, por edhe për përgjegjësitë që na takojnë.
Republika e Kosovë është e përkushtuar për paqe dhe bashkëpunim ndërmjet shteteve sovrane, ndërmjet popujve liridashës kudo në botë.
Duke e votuar këtë propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju do ta shkruani një faqe të re dhe jashtëzakonisht të rëndësishme në udhën e afirmimit dhe të forcimit të rolit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës!
Ju, sonte, do ta bëni realitet një ëndërr të kahmotshme të shumë brezave!
Ju, sonte, do ta bëni realitet FSK-në në misione paqeruajtëse ndërkombëtare!
Populli i Kosovës, si pak popuj në botë, e kupton rëndësinë e misionit paqeruajtës. E kemi provuar këtë para dy dekadave.
Me këtë vendim, sonte vendoset gurthemeli i radhës në rrugën tonë të integrimit euro-atlantik të shtetit të Kosovës.
Në fushën e sigurisë, gurthemeli, apo hapi i parë, ka qenë vetë themelimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës pas luftës, të mbikëqyrur dhe të pranuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë.
Hap tjetër ka qenë transformimi i Trupave Mbrojtës të Kosovës në Forcë të Sigurisë të Kosovës.
Më tutje, hap i madh ka qenë fillimi i planit të transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës drejt ushtrisë së rregullt, të cilën gjë jemi duke punuar çdo ditë që ta bëjmë realitet, duke ndjekur me përpikëri planin e transformimit të FSK-së.
Ndërkaq, sot, me këtë vendim, ne renditemi krah partnerëve tanë për të siguruar paqen në botë.
Ju faleminderit të gjitha grupeve parlamentare për mbështetjen që do t’i jepni këtij vendimi.
Zoti e bekoftë miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës!
Zoti i bekoftë djemtë dhe vajzat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë