Nga: Shpend Kursani
Kur për pak vota nuk u pranua Kosova në UNESCO, pati zëra nga disa eksponentë publikë që ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të japë dorëheqje. Kjo ishte një kërkesë që mund të vije vetëm nga një mendjehollësi apo ngutje elektronike, që shpeshherë këta eksponentë bien në grackën që e vendosin vet – pra, që kur vendosin diçka nëpër rrjete sociale, po ta mendonin edhe për dy sekonda më shumë atë çka kishin për të thënë, nuk do ta kishin thënë fare atë që e veç e kanë thënë.
Sidoqoftë, mendoj që mos arritja e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO paraqet rast të paarsyeshëm për një ministër të Jashtëm të një shteti të kontestuar, apo me njohje të kufizuara, siç është rasti i Kosovës, të japë dorëheqje. S’ka nevojë për dorëheqje për mos anëtarësim në UNESCO.
Pse nuk u pranua Kosova në UNESCO? Për të shpëtuar nga të bëmat dhe dëmet afatgjata të tyre në relacion me thelbin e mos pranimit të Kosovës në UNESCO (për çka në të vërtetë do të duhej dorëheqja), pra për të shpëtuar nga miti që kanë krijuar me partnerët e tyre për gjoja normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, shumë eksponentë publikë dhe zyrtarë shtetërorë spikatën shumë fajtorë për këtë. T’i citojmë disa. Ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, eksponent proqeveritar, në njërin nga rrjetet e tij sociale, duke e gjetur fajtorin për këtë, tha: “Bota arabo/muslimane e bashkuar kunder Kosoves. Kjo eshte fytyra e vertete e despotive arabo/muslimane…” [sic.]. Ngjashëm, eksponenti tjetër proqeveritar, deputeti i Republikës, Naser Osmani, në njërin nga rrjetet e tij sociale kishte gjetur fajtorin duke thënë se “Kosovaret moti e kane dhjerë Serbin, Rusin…… (kerkoj falje per fjalor) por tani ta dhjefsha Arabin, Sirin…..” [sic.].
Po të teleportohej dikush nga një kohë tjetër në Kosovë në këto momente, nga këto reagime të proqeveritarëve, do të mendonte se Kosova ishte në luftë të përgjakshme me “despotitë arabo/muslimane” dhe se këto “despoti” vazhdimisht cenojnë sovranitetin e brendshëm të Kosovës, dhe lobojnë kundër Kosovës, dhe një ditë, po të ndryshohen rrethanat ndërkombëtare, do ta pushtojnë “sërish” Kosovën.
Është dëshpëruese dhe fatkeqe kur një vend që e ka njohur Kosovën, voton kundër anëtarësimit të Kosovës në UNSECO. Ka hapësirë për dëshpërim, por mllefi ndaj shteteve që e njohin një shtet tjetër, e që votojnë (ndonjëherë) kundër tij, janë politikisht të paarsyeshme. Shumica dërmuese e anëtarëve të OKB-së e njohin njëra-tjetrën, por ato shpeshherë, dhe në shumicën e rasteve, votojnë kundër njëra-tjetrës.
Njohja dhe vota për/kundër nuk janë domosdo në lidhje të drejtë; në fakt të presim një gjë të tillë, është pritje ontologjikisht e çuditshme. Kësisoj interesante ishte edhe reagimi dhe alibia ndaj disa vendeve arabe nga ana e shumë qytetarëve elektronikisht aktivë të Kosovës. Kishte shumë fajtorë në këtë përpjekje të Kosovës e cila fatkeqësisht dështoi, por spikatja e disa fajtorëve, shpeshherë edhe fiktivë, tensiononin mendimin logjik dhe të arsyeshëm me një intensitet marramendësisht të lartë. Këto tensione apo ndeshje logjike janë dy.
Të fillojmë nga e para. Si fajtorë, që në këtë rast do t’i quaja fiktivë, por që u përmendën si të vërtetë ishin gjoja hoxhallarët e Kosovës të cilët qenkan shkolluar në disa vende arabe (pak nga të cilat ndodhën të votoj kundër) si fajtorë kryesorë për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Mendoj se diku e dikur në hapësirë ndoshta mund të jetë qëndrim i vlefshëm, dhe për një moment le ta marrim si të tillë sa për matjen e tensionit të ndeshjes logjike. Kjo spikatje na bënë t’i qasemi kësaj çështjeje në formë retorike.
(1) Meqë hoxhallarët e Kosovës janë përgjegjës për këtë veprim të disa vendeve arabe, sepse kanë studiuar atje, me çdo metodë logjike do të duhej që hoxhallarët e Kosovës t’i marrin meritat për njohjen e Kosovës nga po ato vende arabe, meqë paskan studiuar atje. Nëse kjo e fundit nuk qëndron, atëherë me çdo metodë logjike do të duhej të zhdukej edhe argumenti i parë alibik jo logjik. Dhe mund të vazhdojmë tutje.
(2) Enver Hoxhaj, duke i quajtur këto vende si “bota arabo/muslimane”, pra përdorimin e fjalës “musliman” e përdorë me qëllim krahas asaj “arabe” për të nxitur urrejtje ndër-dhe-brenda fetare, sepse nuk shoh ndonjë arsye tjetër për bashkërendimin e qëllimshëm të epiteteve si “arabo/musliman”, atëherë duhet t’ia bëjmë disa pyetje Enver Hoxhajt: Çka janë për të Jemeni, Sudani, Somalia, Katari, Pakistani, Omani, Malajzia, Libia, Kuvajti, Bahrejni, etj. që votuan pro anëtarësimit të Kosovës në UNSECO? Apo çka është Arabia Saudite për të, nëse jo “despoti arabo/muslimane”, zyrtarëve të së cilës me 8 maj 2011, sipas ueb-faqes së MPJ-së, ju kishte thënë “Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë një mbështetje të fuqishme popullit të Kosovës në të kaluarën e saj, një mbështetje të fuqishme para, gjatë dhe pas luftës”? Ky ishte kryediplomati i dikurshëm i Kosovës.
Po ta dijë UNESCO për këso reagime të zyrtarëve të Kosovës, vështirë se do ta mbushte mendjen për pranimin e Kosovës, nga frika në mos këta zyrtarë shtetërorë po përgatisin ndonjë shkatërrim të ndonjë trashëgimie kulturore Myslimane jo serbe.
Të vazhdojmë tek e dyta, në fakt kjo pika e dytë me të vërtetë të bënë të përlotesh. Përderisa Kosova vazhdimisht negocion me Serbinë për t’i stër-rehatuar serbët e Kosovës me statute, statuse, territore, e të drejta mbi-të-drejta, të njëjtit përfitues të këtyre mbi-të-drejtave ishin zërat më të fuqishëm që kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ata janë qytetarë të Kosovës, dhe duhet të merremi me brengat e tyre. Po ashtu, secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të shpreh mendimin e tij apo të saj qoftë edhe nëse kanë argumente kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Por, tash, duke qenë se qëndron si fakt – që ndoshta pro-qeveritarëve nuk i pëlqen, andaj spikasin “arabo/muslimanët” si fajtorë, grupi kundërshtues më i madh brenda Kosovës ishin serbët e Kosovës të udhëhequr nga priftërinjtë e Serbisë. Atëherë, duke pasur këto fakte të pamohueshme parasysh, a bën të mos gjejmë fajtor tej-oqeanor, kur problemin e mos anëtarësimit të Kosovës në UNESCO e kemi te hunda – në shtëpi, dhe te komshiu – jashtë shtëpisë.
Mirë, tash çka na thotë kjo për diplomacinë? Nëse do t’i shihje Serbia dhe vendet “arabo/muslimane” reagimet e pro-qeveritarëve për mos pranimin e Kosovës në UNESCO janë dy mundësi.
E para, Serbia vërtetohet që ka “vëllezër” në Kosovë përmes të cilëve në mënyrë paqësore e kapë Kosovën, dhe e dyta, vendet “arabo/muslimane” të Enver Hoxhajt, vërtetohen që herën tjetër në UNESCO të votojnë konform mendimeve të Enver Hoxhajt, ndoshta, tashmë, si “ish-vëlla” i Arabisë Saudite. Kësisoj, duke e mbajtur Serbinë e cila e lufton Kosovën brenda dhe jashtë – afër vetit, dhe duke nënçmuar dhe prishur marrëdhëniet me ata që na kanë njohur dhe kemi nevojë sërish për ta – larg vetit, sepse me apo pa UNESCO nuk përfundon as bota e as Kosova, jemi në rrugë të sigurt të vërtetimit që as hapin e vetëm si shtet i pavarur nuk mund ta bëjmë në diplomaci.
Për fund, nuk duhet kërkuar dorëheqje pse Kosova nuk është pranuar në UNESCO. Dorëheqje duhet kërkuar pikërisht në momentin kur Kosova të futet në UNESCO si rezultat i pranimit të ndonjë kërkesë të radhës së Serbisë për riaranzhim të brendshëm të Kosovës. Doktrinën e politikës së jashtme që Kosova duhet ta ndjekë është: jo në organizata ndërkombëtare me çdo kusht. Fatkeqësisht, që nga pavarësia, Kosova e ka ndjekur të kundërtën, pra logjikën: për çdo anëtarësim ndërkombëtar më shumë, një element shtetëror më pak. Serbia ka qenë kalibri matës i kësaj doktrine – e që siç pamë sot, sërish nuk po shohin.
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...