BioNTech zotohet se do të rrisë prodhimin e vaksinës anti-COVID

08:25 | 2 Janar 2021
A. B.

Kompania farmaceutike gjermane, BioNTech, ka thënë se do të rrisë prodhimin e vaksinës anti-COVID-19, për të kompensuar faktin se pak vaksina të tjera janë miratuar për përdorim.

“Ka mungesë të vaksinave të tjera të miratuara dhe neve na duhet ta plotësojmë këtë boshllëk me vaksinat tona”, ka thënë bashkëthemeluesi i BioNTechut, Ugur Sahin, për gazetën gjermane “Der Spiegel”, transmeton REL.

Kompania BioNTech zhvilloi vaksinën e saj në partneritet me firmën amerikane Pfizer.

Vaksina u miratua nga Bashkimi Evropian në fund të muajit të kaluar dhe është po ashtu në përdorim në Britani, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Bashkëthemeluesja tjetër e BioNTechut, Ozlem Tureci, e cila është gruaja e Sahinit, ka thënë se Bashkimi Evropian ka supozuar se do të kishte “një shportë me furnizues të ndryshëm” të vaksinave.

“Por, pastaj, në një moment, është bërë e qartë se shumë nuk do të jenë në gjendje të bëjnë furnizime të shpejta”, është shprehur ajo.

BioNTech planifikon të hapë një strukturë të re prodhimi në Marburg të Gjermanisë, muajin e ardhshëm, që do t’i mundësojë kompanisë të prodhojë 250 milionë doza shtesë të vaksinës, në gjysmën e parë të këtij viti.

Më herët, BioNTech dhe Pfizer kishin planifikuar prodhimin e 1.3 miliard dozave të vaksinës në vitin 2021 – të mjaftueshme për të vaksinuar 650 milionë njerëz.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme