Nga 50 deri 500 euro për çdo të prekur me COVID-19, tetë komunat e Kosovës që ndihmuan financiarisht qytetarët

23:51 | 1 Janar 2021
A. B.

Që nga 13 marsi kur u paraqit rasti i parë me COVID-19, e deri në fund të vitit 2020 në Kosovë janë regjistruar më shumë se 50,000 raste të infektimit me coronavirus, derisa numri i atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen ka shkuar mbi 1,300.

Mbi 40,000 prej të infektuarve tashmë llogariten të shëruar nga virusi por deri te ai moment ata pacientë i janë nënshtruar një terapie mbi 2 javore që ka qenë mjaft e kushtueshme.

Shumë komuna duke parë gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve të tyre kanë vendosur të ndajnë mjete financiare që sadopak të iu dalin në ndihmë.

Ndihmat financiare që komunat kanë ndarë për të prekurit me COVID- variojnë nga 50 deri në 500 euro, ndërsa për familjarët e atyre që humbën betejën me coronavirusin shkojnë deri në 950 euro, njofton Telegrafi.

Më poshtë lista e tetë komunave që kanë ndarë mjete për qytetarët e tyre, të prekur nga pandemia e coronavirusit.

Prishtina – Ndër të parat komuna që ka dhënë subvencione për qytetarët e prekur nga coronavirusi. 50 euro kanë përfituar të infektuarit deri në moshën 65-vjeçare ndërsa 100 euro pensionistët.

Mitrovica – Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim që t’i ndihmojë qytetarët e saj infektuar me coronavirus me nga 50 euro.

Kamenica – Komuna e Kamenicës ka ndarë nga 50 euro për secilin qytetar të prekur nga coronavirusi.

Skenderaj – Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se janë ndarë nga 50 euro për çdo qytetarë të kësaj komune të cilët janë infektuar me COVID-19 dhe nga 100 euro për familjet e atyre që kanë humbur jetën nga ky virus.

Suhareka – Çdo qytetar Suharekës i prekur nga COVID-19 do të subvencionohet me nga 100 euro, ndërsa familjarët e qytetarëve që kanë humbur betejën me këtë virus do të subvencionohen me nga 200 euro.

Obiliqi – Komuna e Obiliqit ka marrë vendim që t’i ndihmojë financiarisht me nga 100 euro të prekurit me COVID-19, ndërsa familjarët e viktimave do të ndihmohen me nga 300 euro.

Vushtrria – Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që t’i ndajë nga 150 deri 350 euro ndihmë për qytetarët e kësaj komune që janë të infektuar me coronavirus. Kjo ndihmë financiar do të ndahet edhe për familjet që kanë humbur personat e tyre më të dashur si pasojë e COVID-19.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme