2021’tën na ndihmoni ta shndërrojmë në “luftë” për të kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie 

07:03 | 1 Janar 2021
arbresh.info

Dhimbja, frika, pasiguria, terrori që karakterizuan 2020’tën ka pak shpresë se nuk do të na ndjekin në këtë vit të ri.  Prandaj, na ndihmoni që 2021’tën ta shndërrojmë në “luftë” për të kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie.

Dhimbja në familjet e mbi 1300 personave të vdekur nga koronavirusi sigurisht se ka ndryshuar përjetimin e ndërrimit të moteve. Zyrtarisht, mbi 50 mijë persona të infektuar gjatë pandemisë jetuan me simptomat që shkaktoi Covid19, dikush në spital e dikush në kushte shtëpiake. Pandemia ka zbehur festën në secilën shtëpi.

Ata që i shpëtuan koronavirusit, jetojnë me frikën se do të përballen një ditë, veçanërisht personat me sëmundje kronike, më të moshuarit, shtatzënat, meqë vaksina ende nuk ka arritur. Por, edhe sikur të arrijë ekziston skepticizmi tek qytetarët nëse duhet, apo jo të vaksinohen, për shkak të raportimeve për efekte anësore. Në disa vende, për vaksina të ndryshme, janë raportuar edhe të vdekur.

Shtoji kësaj, edhe zhvillimet politike, që shkaktojnë pasiguri tek qytëtarët se Kosova do të arrijë të ketë një stabilitet dhe qëndrueshmëri të ekonomive familjare. Dy qeveri brenda një viti me rezultate të dala nga një palë zgjedhje, shumë pakënaqësi me menaxhimin e pandemisë, izolimi në qeverinë e Albin Kurtit dhe mungesa e përkrahjes së bizneseve në qeverinë e Avdullah Hotit. Presidente si ushtruese e detyrës dhe Kryeminisër në detyrë. Parlament që me muaj zvarriti Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, duke arritur të miratojë vetëm 14 ligje nga 35 projektligje sa ka patur në sirtarë.

Qytetarët janë terrorizuar edhe me shpeshtimin e vrasjeve të shumfishta dhe vetëvrjasjeve për motive të ndryshme. Sigurishtë se e gjithë kjo situtatë e krijuar vazhdon të ndikojë në psikologjinë njerëzore.

Në këtë vit duhet të mbledhni forcën për të buzëqeshur në telashe, dhe duke reflektuar individualisht për të kërkuar atë që e meritoni. Mos lejoni që të mbizotërojë pasiguria për shkak të disa politikanëve të papërgjegjshëm.

2021’tën shëndrrojëni në “luftë” në kërkim të drejtave tona për trajtim dinjitoz në sistemin arsimorë, në sistemin shëndetësorë, në vendet e punës, dhe kudo ku shihni padrejtësi.

Portali arbresh.info ju ka qëndruar pranë sa herë që ju keni ngritur zërin, dhe do të ju përkrahë në secilën iniciativë për të raportuar padrejtësitë. Fotografitë, videot dhe çfarëdo dokumenti përmes të cilave dëshmohen këto, mos heshtni, dhe na dërgoni në rrjete sociale, duke na telefonuar, apo vizituar në zyrat tona.

Kërkimi i përgjegjësisë dhe llogaridhënies le të jetë një mision që do ta kryejmë secili duke “linçuar” publikisht ata që abuzojnë me të drejtat dhe paratë tona.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info dhe për më shumë se dhjetë vjet ka punuar në medie si gazetare dhe redaktore.)

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme