Tashmë viti 2021 është duke trokitur thuajse në çdo shtëpi.
E duket se një atmosferë festive ka mbërritur tashmë edhe në dyert e ushtruese së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani.Pas një viti me ngarkesë në sferën profesionale, Osmani më në fund po e shijon natën e ndërrimit të motmoteve në ambientin e ngrohtë familjar, pranë bashkëshortit dhe dy vajzave të saj.
Ajo në një intervistë ekskluzive për Telegrafin për fundvit, rrëfen në pika të shkurtra se si ka qenë në tërësi 2020-ta për të.
“Viti 2020 kolektivisht do të kujtohet si vit i sfidave. Përkundër arritjeve e sukseseve individuale që mund të kemi pasur gjatë vitit 2020, këtë vit do ta kujtojmë si vit sfidues, për shkak të përballjes me pandeminë Covid 19. Ai e ka vënë në pikëpyetje mënyrën tonë të organizimit shoqëror, por, njëkohësisht është edhe tregues se si mund të adaptohemi në rrethana të ndryshme. Ne e kemi dëshmuar shpirtin tonë solidar. Ajo që dua të dalloj në vitin 2020 është fakti që gratë ishin në krye të disa prej institucioneve kryesore në vend. Në përgjithësi, mendoj që ky ka qenë viti i grave në mbarë botën. Ato janë dëshmuar në vijën e parë të frontit me pandeminë, kanë përfaqësuar disa nga rastet më të suksesshme të menaxhimit të pandemisë, dhe kanë qenë vazhdimisht zëri i atyre të cilët kanë nevojë të dëgjohen”, ka thënë për Telegrafin U.D Presidentja, Vjosa Osmani.
Duke qenë se po lëmë pas një vit shumë “të ashpër” me peripeci nga më të ndryshme, Vjosa Osmani flet për barrierat më të mëdha me të cilat ajo është ndeshur gjatë vitit 2020.
“Si rezultat i pandemisë, ne po përballemi me efekte negative në shumë sfera, qoftë në aktivitetin ekonomik, në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë, apo organizimin institucional. Të gjitha këto kanë pasur edhe efekte negative shoqërore, nga të cilat dua të veçoj ndikimin fatkeq në rritjen e rasteve të dhunës në familje. Ky ka qenë një vit i vështirë dhe do të mbahet në mend si i tillë. Por, njëkohësisht, është një vit që duhet ta marrim si vit nga i cili nxjerrim mësime dhe gjejmë forcën për të realizuar një rimëkëmbje që siguron barazi, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë”, thotë U.D Presidentja.
Jashtë kornizave të politikës, Vjosa Osmani është nënë e dy vajzave: Anda dhe Dua, të cilat për të duket se janë mrekullia e çdo feste.
Në vazhdimësinë e intervistës, Vjosa tregon se si është atmosfera festive në shtëpinë e saj.
“Çdo vit tjetër, në natën e Vitit të Ri, së pari vizitojmë apo mirëpresim familjarët tanë dhe takohemi me miq, si dhe përgjatë darkës i kënaqemi muzikës së mirë që ofrohet atë natë. Flasim shumë për vitin që po lëmë pas, por shpesh rikthejmë edhe kujtime të dashura nga fëmijëria qoftë përmes bisedave apo fotografive e videove. Natyrisht që vëmendjen qendrore e kanë fëmijët tanë me këngët e recitimet e tyre të shumta. Gëzimi i tyre është ajo që e bënë këtë natë më të bukur e më të veçantë. Këtë vit, darka do të shtrohet vetëm në rrethin e ngushtë familjar, sepse mënyra më e mirë për të festuar këtë herë është duke u kujdesur për të tjerët. Fundja, gjatë festave ne ndajmë dashuri dhe respekt, e mënyra më e mirë për ta bërë këtë në këtë fundvit është duke u përkujdesur për shëndetin e atyre që i kemi për zemër”, thekson Osmani.
E kur vjen puna te dekoret e festive, duket se “barra” që shtëpia të duket sa më bukur bie te dy më të voglat e shtëpisë.
“Besoj se, sikur në shumicën e familjeve të Kosovës, festat janë një mundësi e artë për të qenë bashkë me më të dashurit tanë. Të tilla janë festat edhe në familjen tonë. Është koha që ne e pëlqejmë shumë, ngaqë na bashkon, si dhe na jep mundësinë të reflektojnë mbi atë se çfarë kemi bërë gjatë vitit e si mund të veprojmë më mirë në vitin që vjen. E për dekorin, i plotësojmë çdoherë dëshirat e të dy vajzave tona: Anda e Dua. Ato janë kuratoret më entuziaste dhe ia dalin për mrekulli”, tha Vjosa Osmani.
Në përmbyllje të intervistës, ushtruesja e detyrës së Presidentes ka një urim për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke iu dëshiruar më të mirat në Vitin e Ri 2021, njëherësh duke u dhënë kurajë të gjithë atyre që lane pas dike gjatë vitit pandemik.
“Po lëmë pas një vit jo të lehtë e të dhimbshëm e me sfida të panumërta, ndër të cilat më e vështira ka qenë përballja me pandeminë. Me këtë rast, dua t’u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, por edhe t’i falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në cilëndo formë për ta sfiduar pandeminë, veçanërisht personelin shëndetësor, të cilët na e dhanë shembullin se vetëmohimi dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët është gjithmonë i mundur dhe dobiprurës. Falënderime të përzemërta edhe miqve tanë dhe partnerëve që na qëndruan pranë nesh edhe në këtë sfidë. Në prag të ndërrimit të motmoteve, ju uroj të gjithë qytetarëve të Kosovë, si dhe gjithë shqiptarëve anembanë botës, shëndet, paqe e lumturi. Uroj që viti 2021 të jetë vit i progresit për Kosovën, i mirëqenies për qytetarët tanë, dhe i paqes dhe i solidaritetit në gjithë botën”, përfundon U.D presidentja Vjosa Osmani.
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...
Në BE s’ka pajtim për hapjen e kapitujve për anëtarësim me S...
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...