Figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë të Holandës. Ata që udhëhoqën luftën për liri dhe pavarësi, sonte do të mund të mblidhen për ta festuar ndërrimin e vitit, duke i lënë për pak qelitë e tyre ku secili qëndron i vetmuar.
Gjykata Speciale, që i akuzon ata për krime lufte e krime kundër njerëzimit, do t’ua mundësojë ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së që ta festojnë Vitin e Ri. Kështu është shprehur për Express të enjten, zyrtarja për informimim e këtij institucioni, Angela Griep.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë për ndonjë veprimtari specifike që të paraburgosurit ndërmarrin në institucionin e paraburgimit. Në përgjithësi, Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit e Dhomave të Specializuara siguron mirëqenien e të burgosurve në një mjedis të sigurt dhe të qetë. Të paraburgosurve sigurisht do t’u sigurohet mundësia për ta festuar Vitin e Ri në përputhje me Rregullat dhe Rregulloret e institucionit të paraburgimit”, tha Griep.
Motiv shtesë për të festuar do të jetë ditëlindja e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili pas orës 00:00 do ta ketë përvjetorin e 70 të lindjes së tij.
Shtatë të akuzuarit e parë të Speciales, pesë prej të cilëve me aktakuzë të konfirmuar, po mbahen ende në paraburgim, pasi pothuajse secilit prej tyre i është refuzuar kërkesa që të mbrohen në liri.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.
Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ndonëse ende s’ka aktakuzë për ta, ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë janë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.
Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar. /Arbresh.info/
Operohet me sukses Militao pas lëndimit në ACL
Haradinaj në tryezën ‘Aleanca për Ujin’: Program...
Aliu ka takuar Zëvendëskomandantin e Komandës Regjionale – L...
OKB: Më shumë se 3.5 miliardë njerëz jetojnë pa tualete të s...
MSH bëhet me dy depo qendrore të barnave
“Pa të rrejt Xuxi se dini çka o rrena”, Xheneta përplaset me...