Google ADS

Ministri serb: Serbia do të kryejë vaksinimin kundër COVID-19 kudo që mundet në Kosovë

14:30 | 27 Dhjetor 2020
L G

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, i ka quajtur të pakuptimta deklaratat se në Kosovë po kryhet vaksinimi për Covid-19 në baza etnike, duke thënë se Serbia kryen vaksinimin atje ku është e mundur ta bëjë.

Stefanoviq, duke folur për “TV Prva” tha se vaksinimi kryhet në përputhje me parimet mjekësore dhe shëndetësore, dhe deklaroi se “Serbia nuk ka sovranitet të plotë, pra nuk mund të zbatojë të gjitha masat në mënyrë të plotë në të gjitha pjesët e Kosovës”.

“Nuk kemi mundësi të ndërhyjmë në pjesë të caktuara të ‘Kosovës dhe Metohisë’. Ne e bëmë këtë atje ku ishte e mundur, por kjo bëhet vetëm sipas parimeve shëndetësore. Ishte edhe më parë, dhe tani është, që situata epidemiologjike është më e vështirë, dhe ku kemi mundur kemi siguruar të ndihmojmë”, tha Stefanoviq, transmeton Telegrafi.

Ai deklaroi se “institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitet për të ndihmuar as shqiptarët dhe askush nuk pret që ata të ndihmojnë serbët që jetojnë atje”.

Ai tha se kritikat dhe deklaratat e mjekëve se vaksinimi bëhet në baza etnike dhe se kjo rrezikon shëndetin e njerëzve, janë një marrëzi.

“Kemi ardhur në një situatë krejtësisht paradoksale, që shqiptarët të akuzojnë Vuçiqin dhe politikanët e tyre për gjunjëzim para Vuçiqit, duke i dhënë atij një rol shtet-ndërtues, dhe që politikanët e opozitës në Serbinë qendrore t’i bashkohen ndjekjes nga një kënd tjetër dhe të thonë se Vuçiq kreu vaksinime mbi baza etnike. Është shumë e vështirë këtë ta vendosësh në një rreth logjik, sepse nuk ka logjikë”, tha Stefanoviq.

Të ngjashme