Granit Xhaka ka disa fjalë për kritikët pas supergolit dhe fitores ndaj Chelseat

10:13 | 27 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ‘tua mbyllur gojën’ kritikëve pas paraqitjes së mirë dhe golit të shënuar në fitoren e Arsenalit në derbin lokal ndaj Chelseat.

Arsenali i është kthyer fitores në kampionat pas shtatë ndeshjeve, duke mposhtur rivalët e urryer lokal të Chelseat me rezultat 3-1 në derbin e javës së 15-të në Ligën Premier.

Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Alexandre Lacazette (35’), Granit Xhaka (44’) dhe Bukayo Saka (56’) për vendasit, ndërsa Tammy Abraham (85’) për mysafirët.

Megjithatë, goli më i mirë i ndeshjes padyshim se ishte ai i mesfushorit shqiptar nga Kosova, Granit Xhaka, i cili shënoi supergol nga goditja e dënimit rreth 25 metra.

Pas këtij goli dhe një paraqitje brilante me fitore në fund, Xhaka ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të thumbuar kritikët e tij.

“Ndonjëherë veprat flasin më shumë se fjalët. Krenar me ekipin tonë sonte”, ka shkruar Xhaka në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, ky ishte goli i parë i mesfushorit prishtinas këtë sezon në Ligën Premier.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme