Google ADS

Mungesa e Thaçit dhe Veselit do të krijojë momentum “të ri” politik në Kosovë

07:41 | 26 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Është hera e parë që nga paslufta që zgjedhjet këtë herë do të zhvillohen pa figurën kyçe, Hashim Thaçin.

Për analistin politik, Shkodran Ramadani ky është një momentum i ri në skenën politike.

Në një deklaratë për arbresh.info, Ramadani ka thënë se kjo është një mundësi e re për politikanët e tjerë të cilët në këtë rast do të mund të lënë gjurmë në politikë.

“Këto do të jenë zgjedhjet e para që Hashim Thaçi s’do të jetë në Kosovë që nga paslufta dhe kjo përbën një ndryshim jo të vogël në krahasim me atë sa ka qenë këtu. Ky është një moment i ri në politikën e Kosovës. Kjo është një mundësi e re që politikanët tjerë të lënë gjurmët e tyre dhe të marrin udhëheqje vendin”, tha Ramadani.

E përveç Thaçit, këtë herë Partia Demokratike e Kosovës, do të shkoj në zgjedhje pa kryetarin e saj Kadri Veseli.

Mungesa e Veselit në këto zgjedhje sipas Ramadanit mund të ndikojë për të mirë në PDK.

“PDK do të jetë pa dy figura kryesore dhe duhet tash Enver Hoxhaj të luaj rol ma aktiv dhe ta nxjerr PDK-në nga kjo situatë në të cilën gjendet. Për shkaka të përformancës së dobët të LDK-së dhe mobilizimit të PDK-së pas arrestimit të krerëve të saj PDK do të jetë më e favorshme se sa ka qenë në zgjedhjet  kaluara pasi tash të gjitha partitë i ka heq vijat e kuqe për ta. PDJK tash do të jetë më afër vendit të dytë, Është moment i ri pas zotërinë Thaçi”, tha tutje ai.

E se mungesa e këtyre figurave do të sjellë një frymë të re në këto zgjedhje, e thotë edhe Fatmir Sheholli njohës i çështjeve politike.

“Konsideroj që do të kemi një fushatë shumë interesante e edhe sentimentale veçanërisht të PDK për arsye se në Hagë po gjykohen krerët e saj! Sidoqoftë besoj që kjo frymë që po mbizotëron do të sjellë fitoren e VV dhe pastaj PDK e LDK si dhe AAK. Si do të kemi konstalacionin qeveritar dhe shumicën parlamentare që siguron 80 deputetë për zgjedhje të presidentit do të jetë sfiduese për fituesin e zgjedhjeve”, u shpreh Sheholli.

Edhe Sheholli sikurse Ramadani mendon se kjo do të sjellë një ndryshim për të mirë në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Mungesa e tyre do të jep krah partisë PDK në aspektin sentimental dhe besoj që PDK do të ketë më shumë deputet sesa që kishte tani!”.

Ndryshe vendi ynë pritet që në ditët në vazhdim të mbajë zgjedhjet e parakohshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrezoi Qeverinë Hoti.

Në këto zgjedhje për herë të parë do të mungojë Hashim Thaçi si dhe ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, pasi që të dy gjenden në Hagë pas aktakuzave të ngritura në nëntor nga  Dhomat e Specializuara./V.Selimi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme