Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka bërë të ditur se autoritetet kineze kanë miratuar dorëzimin e vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Turqi, të cilat do të dërgohen këtë të dielë.
Duke folur pas takimit të Komitetit Këshillimor Shkencor mbi pandeminë COVID-19, ministri Koca tha se vaksina kineze mburret me një efektivitet prej 91,25 për qind.
“Me vlerësimet e Komitetit Shkencor, ne jemi të sigurt për efektin e vaksinës tek populli turk duke e përdorur atë në vendin tonë. Tani jemi të sigurt se vaksina është efektive dhe e sigurt për popullin turk”, tha Koca.
Siç është planifikuar, njoftoi Koca, pothuajse 9 milionë njerëz në Turqi do të vaksinohen në fazën e parë dhe vaksinimet kundër koronavirusit mund të jepen në 1.5 milionë deri në 2 milionë njerëz në ditë.
“Së bashku me profesionistë të kujdesit shëndetësor, unë do të jem një nga njerëzit e parë që do të marrë vaksinën”, tha Koca.
Mbi 18 mijë raste të reja me COVID-19 në Turqi
Gjatë 24 orëve të fundit, Turqia regjistroi 18.102 raste të reja të koronavirusit, si dhe 254 vdekje. Sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore, rastet e reja përfshijnë 3.218 pacientë simptomatikë.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Turqi ka tejkaluar shifrën 2.1 milionë, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 19.115.
Brenda ditës së fundit nga virusi u shëruan 33.985 pacientë të tjerë, me çka numri i përgjithshëm i të shëruarve është rritur në 1.93 milionë.
Autoritetet shëndetësore turke që nga shpërthimi i pandemisë kanë kryer mbi 23.22 milionë teste të dyshuara për COVID-19, përfshirë 195.675 teste të kryera gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i pacientëve në gjendje kritike në Turqi është 4.805.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, që nga shpërthimi i pandemisë në mbarë botën janë konfirmuar mbi 78.9 milionë raste me koronavirus, përfshirë mbi 44.49 milionë të shëruar dhe mbi 1.73 milionë të vdekur.
Për sa i përket numrit të rasteve të konfirmuara me COVID-19, SHBA, India dhe Brazili janë vendet më të prekura nga pandemia./AA/
Anija ruse Ursa Major fundoset në Detin Mesdhe
Gjesti e këshillon Xhenetën: Mos merr ndonjë vendim që do të...
Hamza prezanton programin: Është koha për një qeveri që dëgj...
City kthehet pas në kohë, krizë rezultatesh si në vitin 2008
Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq: Në ...
Gjesti, Drenushës: Po bën shumë filma, po mundohesh me e vën...