Google ADS

Mbi dhjetë vendime të reja merr qeveria Hoti

21:19 | 24 Dhjetor 2020
arbresh.info

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në një mbledhje elektronike ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime.

Mjetet e ndara për ndërtimin e objektit të ri të administratës së Komunës së Lipjanit, në shumën prej 543 mijë e 347 euro kthehen në buxhetin e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Këto mjete janë transferuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Zyrtarëve aktiv policor do t’i ndahen mjetet financiare në vlerë prej 1 milion e 598 mijë e 100 euro. Këto mjete shtesë ndahen për 6 mijë e 124 zyrtarë policorë, nga 100 euro në muaj për periudhën Tetor, Nëntor dhe Dhjetor. Realizimi i pagesës së këtyre shtesave do të bëhet me pagën e muajit dhjetor 2020, përmes Sistemit të Pagave.

Hykmete Bajrami nga Ministria e Financave, si anëtare e Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, zëvendësohet nga z. Ermal Lubishtani.

Ministria e Financave do të publikojë dhe shpërndajë vlerësimin e rrezikut kombëtar të pastrimit dhe financimit të terrorizmit në Kosovë. Në rast mospublikimi, Ministria e Financave obligohet të publikojë përmbledhje të vlerësimit dhe listën e masave të nevojshme që duhet të ndërmerren.

Njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës është caktuar të bëjë monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Raportit të vlerësimit për të mundësuar rishikimin e efektivitetit të sistemit kombëtar në përputhje me rrethanat sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.

Qeveria autorizon transferin e 21 milion e 510 milion euro nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Këto mjete transferohen te Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

Shpronësohen 121 vepra të artit të autorëve bashkëkohorë, të cilat ndodhen në objektin e Hotelit Grand i cili është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Këto vepra të artit do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës e cila do të përkujdeset për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.

Qeveria poashtu ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pjesshëm të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 06/2019, për Kushtet Teknike për Import, Deponim, Shitje me Shumicë, Shitje me Pakicë të Karburanteve të Naftës dhe Pastrim të Rezervuarve. Sipas vendimit shfuqizohet neni 6 i Udhëzimit Administrativ. Në titullin e Udhëzimit Administrativ gjithashtu fshihet fjala “dhe Pastrim të Rezervuarëve”.

Deri në nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, subjektet të cilat merren me tregtimin e duhanit janë të liruara nga pagesa e taksave për licencim.

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në listën e rekomanduar janë këta kandidatë:
1. Festim Kutllovci
2. Ibrahim Krasniqi
3. Skender Sallahu
4. Hasan Fejzullahu
5. Muharrem Sejdiu
6. Xhavit Rraci
7. Basri Kokolli
8. Sali Mulaj
9. Burim Fetaj
10. Ibush Luzha
11. Bujar Hasimi
12. Kreshnik Rugova.

Kuvendit të Republikës së Kosovës i janë proceduar edhe kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë:
1. Vehbi Safiu
2. Luan Morina
3. Bekim Jakupi

Qeveria, në takim e sotëm online, ka ndarë 105 mijë euro për dhjetë (10) OJQ-të Strehimoret e licencuara të cilat ofrojnë shërbime për mbrojtje të fëmijëve, strehimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit. Për shpenzimin e këtyre mjeteve, strehimoret/OJQ-të, obligohen të dorëzojnë raporte narrative dhe financiare në Departamentin e Politikave Sociale dhe të Familjes dhe në Divizionin për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme