Peci: Posti i Vjosa Osmanit nuk preket, data e zgjedhjeve caktohet kur të konsulltohen të gjitha partitë

00:58 | 22 Dhjetor 2020
Trina Galanxhi

Faton Peci, këshilltar i ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani tha se vendimi i sotëm që rrëzoi Qeverinë Hoti nga Gjykata Kushtetuese nuk e prek postin e ushtrueses së detyrës së presidentes.

“Jo nuk preket për shkak se vendi nuk duhet të ketë boshllëk institucional. Pavarësisht se ne po shkojmë drejt zgjedhjeve ushtruesja e detyrës së presidentit ka afatet kushtetuese. Deri në maj do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes edhe një kohësisht do të jetë edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës si ushtruese e detyrës deri në konstituimin e Kuvendit të ri që del nga vota e qytetarëve”.

Ai tha në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova se Osmani do të ushtrojë funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes.

“Që të dy këto funksione, funksioni i ushtruesit të detyrës së presidentit është ex-officio, për shkak se është kryetare e Kuvendit.  Derisa të kemi certifikim te rezultateve unë besoj që do të kemi ezaurim të afateve kushtetuese për ushtrimin e funksionin e postit të presidentit”.

Peci theksoi se data e zgjedhjeve caktohet kur ushtruesja e detyrës së presidentes të konsultohet me të gjitha partitë politike.

“Unë besoj që vendimi i ushtrueses së detyrës së presidentes do të bëhet në momentin kur të dëgjohen të gjitha palët. Presidentja do të dëgjoj të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës dhe me vendime racionale do të caktohet data për zgjedhje”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme