Investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rënie të theksuar, në veçanti në dy tremujorët e fundit, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore. Në tremujorin e tretë, sipas raportit, janë regjistruar disa investime, por ato janë shumë më të ulëta në krahasim me kapitalin e huaj që po largohet nga vendi.
Në tremujorin e dytë është regjistruar një ulje prej 9.3 milionë euro të investimeve të huaja, ose në dy tremujorët e fundit minus 14.7 milionë euro.
Në periudhën e para pandemisë, Maqedonia e Veriut kishe regjistruar 133 milionë euro investime, shifër kjo që pas nëntë muajve është ulur në 119.5 milionë euro, që është një nga rezultatet më të dobëta në viteve të fundit.
Por, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk pajtohen me këto të dhëna. Që nga paraqitja e krizës me pandeminë e koronavirusit, 71 për qind e ndërmarrjeve të huaja punojnë me fitim, pjesa tjetër janë me humbje, por asnjë nga investitorët nuk është larguar, thonë nga Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjike-Industriale.
Nga kjo drejtori kanë bërë të ditur se “pagat e punëtorëve në zonat industriale janë më të ulëta se pagat mesatare, pra rriten më ngadalë në krahasim me pagat mesatare neto të qytetarëve të tjerë në vend”.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, në anën tjetër, thotë se përkundër krizës, janë regjistruar investime të huaja direkte.
“2020-ta është vit kur u paraqit edhe kriza me sëmundjen COVID-19, por pavarësisht kësaj kemi 12 investime direkte nga jashtë, të cilat janë në fazën e realizimit, nënshkrimit të marrëveshjeve ose në fazën e negociatave. Me rëndësi është për t’u theksuar se 400 kompani vendore kanë marrë mbështetje prej 17.3 milionë euro për investime gjatë kohës së pandemisë”, ka deklaruar kryeministri Zaev pa përmendur kompanitë e huaja që janë larguar nga vendi pikërisht për shkak të krizës me pandeminë.
Ndërkohë, opozita e konsideron si alarmante gjendjen me investimet e huaja. Sipas partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, deri sa në shumë vende të rajonit investimet shënojnë rritje, në Maqedoni të Veriut ndodh e kundërta.
“Më duhet të them se LSDM-ja ishin ajo që premtoi shumë dhe që pretendon se gjoja është bërë diçka në drejtim të investimeve dhe zhvillimit ekonomik. Në fakt, gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asgjë, ne kemi ngelur shumë mbrapa shteteve tjera. Të dhënat për Bullgarinë tregojnë një rritje të investimeve të huaja në tremujorin e dytë të vitit prej 143 milionë euro, ndërsa në tremujorin e tretë investimet kanë arritur 465 milionë euro, ose në total, 638 milionë euro në dy tremujorët e fundit. Serbia në tremujorin e dytë ka pasur një rritje të investimeve prej 650 milionë euro, ndërsa 277 milionë euro në tremujorin e tretë, që do të thotë 930 milionë investime të huaja gjatë krizës me pandeminë”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Përveç krizës në ekonomi të shkaktuar nga COVID-19, investimet ndikohen gjithashtu nga situata politike në vend dhe fuqia punëtore, thotë analisti ekonomik, Arben Halili.
“Gjithsesi se duhet marrë parasysh një fakt tjetër, i cili padyshim se nuk duhet nënvlerësuar, e që ka të bëjë me stabilitetin e paqëndrueshëm politik. Sado që ne të duam që të ndajnë fushëveprimin politik nga ai ekonomik, prapë se prapë ka një ndërlidhje shumë të fuqishme njëra me tjetrën me stabilitetin politik. Sigurisht që mosqëndrueshmëria politike po i faturohet ekonomisë”, ka deklaruar Halili.
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut pret që vitin e ardhshëm investimet e huaja direkte do të stabilizohen gradualisht./Telegrafi/
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...