Google ADS

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, 5 milionë euro më i lirë sesa ai i vitit 2011

19:42 | 21 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Regjistrimi i popullsisë i paraparë për në prill të vitit të ardhshëm do të kushtojë 5 milionë euro më pak sesa regjistrimi i dështuar i vitit 2011. Kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se me propozim ligjin aktual, ky operacion mjaft i rëndësishëm statistikor, as tani dhe as në të ardhmen nuk do të politizohet.

“Regjistrimi do të kushtojë 8.5 milionë euro. Kjo është për 5 milionë euro më pak sesa regjistrimi i dështuar i Qeverisë së kaluar të OBRM-PDUKM-së në vitin 2011. Në vend të letrës do të ketë pajisje elektronike. Përgjigjet për një pjesë të pyetjeve do të merren nga bazat e të dhënave të cilat i organizuam gjatë tre viteve të kaluara. Regjistrimi i vitit 2021 do të realizohet jo sepse ashtu ka thënë kryeministri Zaev. Nuk do të bëhet as pasi atë e dëshiron ose nuk e dëshiron Mickoski. Regjistrim në vitin 2021 do të ketë për shkak se zhvillimi i vendit tonë nuk do të jetë i mundur pa rezultatet e këtij regjistrimi”, tha Zaev.

Vendi nuk ka realizuar regjistrim për 18 vjet, çka e bën Maqedoninë e Veriut vendin e vetëm në rajon dhe më gjerë pa realizuar një operacion të këtillë statistikor, por kjo tha kreu i Qeverisë do të ndryshojë që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Ligji për Regjistrimin e Popullsisë është në procedurë parlamentare dhe i njëjti duhet të miratohet para fillimit të hapave të parë të këtij operacioni. Ligjin e kundërshton opozita duke kontestuar autorizimet që i janë dhënë Entit Shtetëror për Statistikë, si dhe formularët për regjistrim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme