Google ADS

Hoti: Janari është vonë për zgjedhjen e presidentit

14:23 | 21 Dhjetor 2020
V. S.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u bëri thirrje partive politike që të dakordohen sa më shpejt për çështjen e presidentit të vendit, duke thënë se “muaji janar është vonë”.

Kosova është me ushtruese të detyrës së presidentit qëkur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti në fillim të nëntorit, për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.

Në bazë të Kushtetutës, ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani, mund ta mbajë këtë pozitë deri në gjashtë muaj.

Partitë politike nuk janë pajtuar ende se si të procedojnë me këtë çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëheq qeverinë, insiston në një marrëveshje midis spektrit politik.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, ka propozuar liderin e saj, Ramush Haradinaj, për president.

Ndërkaq, partia më e madhe në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se duhet të mbahen zgjedhje të reja parlamentare dhe pastaj të zgjidhet presidenti.

Hoti tha se Kushtetuta e Kosovës është e qartë dhe se kjo situatë mund të vazhdojë maksimum për gjashtë muaj.

“…por, ne nuk duhet të presim ditën e fundit. Duhet të kujdesemi që t’i kryejmë punët me kohë, në mënyrë që vendi të mos mbetet pa institucione. Unë besoj që edhe janari është vonë [për zgjidhjen e situatës]”, tha Hoti në një konferencë për media.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë. Pastaj, kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës së Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme