Shkurta nga Prishtina, rreth të tridhjetave, thotë për Radion Evropa e Lirë, se babai i saj ka ndarë pasurinë për fëmijët, por sipas rrëfimit të saj, ndarja e një pjesë të pasurisë nuk ishte bërë në mënyrë të barabartë.
“Babi im kur e ka ndarë pasurinë, djemve ua ka lënë nga 60 ari tokë, kurse neve tri motrave nga 20 ari, që po i bie se edhe neve na ka dhënë pasuri. Ka bërë dallim sepse djemtë kanë përparësi te ne shqiptarët, por në rrethana normale nuk duhet të kenë. Shqiptarët e kanë atë të veten, që djemtë i dallojnë nga vajzat dhe u japin përparësi”, thotë Shkurta.
Ajo mendon se pavarësisht rrethanave dhe respektimit të traditës shqiptare, gjeneratat e reja, gratë, duhet të jenë më këmbëngulëse në përvetësimin e pasurisë që i takon si nga ana e prindërve po ashtu edhe te bashkëshorti.
“Ne femrat në përgjithësi qetësohemi e bëjmë kabull [pranojmë] mos ta humbasim vëllanë për pasuri, [në raste të caktuara] vëllai në një farë mënyre të ‘kushtëzon’ nëse e merr t’i hisen nuk vjen te unë, e të tjera gjëra”, thotë Shkurta.
Kurse, Dardanja nga Prishtina, mendon se pasuria e prindërve, duhet të ndahet në mënyrë të barabartë te fëmijët, por sipas saj, nëse ndonjë anëtare e familjes, shembull motra ka kushte më të dobëta ekonomike te bashkëshorti, duhet t’i jepet asaj më shumë.
“Kisha preferuar, për shembull nëse një nga motrat e mija nuk i ka kushtet e mira, të ja jepnim asaj, e jo ta marrë unë [pjesën e pasurisë]. Nëse unë kam pasuri te burri, pse ta marr, kur nuk më duhet asgjë? Nëse motra ka nevojë më shumë, pse ta marr unë pa nevojë”, tha ajo.
Çështja e pjesëmarrjes në trashëgiminë familjare nga ana e grave vazhdon të mbetet në suazat e tabusë brenda vetë familjeve, ndonëse kjo çështje formalisht, nuk është tabu në kuadër të trajtimit ligjor dhe institucional.
Në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore thonë se të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, veçmas në lidhje me të drejtën e tyre për ta trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi.
Ligjet e Kosovës, sipas organizatave, garantojnë të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë së paraparë me ligj.
“Gjendja në raport me implementimin e ligjit mbi trashëgiminë ende çalon dhe përmirësimet janë tejet të pakta. Ka përmirësime në aspektin e fushatave vetëdijësuese dhe ngritjes së nivelit të njohurisë për të drejtën e grave në pronë, mirëpo numri i grave që e realizojnë këtë të drejtë, është tejet i vogël”, thonë në Rrjetin e Grave të Kosovës, i cili avokon për të drejtat e grave.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga ky Rrjet shtojnë se problemet janë të shumta, dhe ato kanë shtrirje edhe institucionale.
“Problem kyç mbetet mentaliteti rrënjësisht patriarkal, i cili gruan nuk e konsideron të denjë për trashëgim të pronës, qoftë nga ana e familjes së saj apo nga ana e bashkëshortit”.
Sipas një hulumtim të Rrjetit të Grave, i publikuar në vitin 2018, ndonjëherë gratë përjashtohen nga e drejta e trashëgimit të pasurisë nga familja e lindjes.
Vlerësohet se rreth 19% e grave heqin dorë nga të drejtat e tyre pronësore ose të trashëgimisë.
Faktorët që kontribuojnë që gratë të heqin dorë nga e drejta e tyre për pronë ose trashëgimi përfshijnë: frikën e bartjes së pronës së familjes ku kanë lindur te familja e bashkëshortit të tyre (12%); dhe arsye të tjera (18%), të tilla si: “unë nuk dua hise nga prindërit e mi”; “unë dua të krijoj pasuri me familjen time/me familjen e burrit”; “dëshirë personale”; dhe “mundësia e krijimit të armiqësisë në familje”.
Sipas hulumtimit të kësaj organizate, vetëm 15 % është numri i transaksioneve të pronave në emër të grave.
Kërkohet ndryshimi i ligjit për të pamundësuar heqjen dorë nga trashëgimia
Shqetësimi kryesor sipas Rrjetit të Grave thuhet se është mbizotërimi i akteve të heqjes dorë prej grave për të drejtat trashëgimore, posaçërisht në zonat rurale.
“Për këtë problem, RrGK dhe organizatat anëtare kanë propozuar amendamentimi e Ligjit për trashëgiminë, duke e hequr plotësisht nga ligji nenin që lejon heqjen dorë nga trashëgimia, si dhe vendosjen e një tarife të lartë që do t’u kushtonte grave që duan të heqin dorë. Kjo do t’i bënte gratë automatikisht trashëgimtare dhe do të ishte një masë e përkohshme afirmative deri në arritjen e barazisë gjinore në aspektin e trashëgimisë”, thonë në Rrjeti i Grupit të Grave.
Nga ana ligjore, neni 7.2 i Kushtetutës së Kosovës ndalon në mënyrë të qartë diskriminimin e grave. Për me tepër, neni 22 përcakton se Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas është përfshirë shprehimisht në ligjet e Kosovës. Megjithatë, pavarësisht nga masat mbrojtëse legjislative për gratë, ende vazhdon tradita kulturore e dhënies së përparësisë ndaj trashëgimtarëve meshkuj.
Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahas ekzistimit të infrastrukturës ligjore, Kosova në kontekstin e të drejtave të grave për trashëgimi, përballet me zbatim të dobët të ligjit për trashëgimi.
“Çështja trashëgimisë edhe çështja e grave si pronare në Kosovës, ende është e nivelit të ulët, gratë trashëgojnë diku 4% e pasurisë nga prindërit e tyre dhe kjo shifër nuk ka ndryshuar qe disa vite. Po ashtu, gratë si pronare janë rreth 15%. Nuk ka ndryshuar në vite, ka 18 vjet që përqindja është 13 deri 15%. Kështu që është shifër shumë e ulët në krahasim me burrat”, tha Demolli.
Faktorët që ndikojnë në uljen e numrit të grave për të trashëguar pronësinë, sipas organizatave joqeveritare, janë vazhdimësi e pozitës së pafavorshme të gruas në shoqërinë kosovare.
“Gratë punët të cilat i kryejnë janë kryesisht punë të cilat kanë një pagë minimale. Profesionet që ato angazhohen janë profesione të cilat janë tipike sterotip që i ofrohen angazhimit të tyre që e kanë në shtëpi. Më shumë gratë janë në administratë, më shumë gratë janë të punësuara si infermiere, që nuk u shkëputet roli i tyre si kujdestare në shtëpi dhe si mësuese”, tha Demolli.
Sipas Ligjit për trashëgimi, trashëgimtarët ligjorë sipas nenit 11, janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat.
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...