Lavrov kthen ikonën që ia dhuroi Dodik

14:48 | 19 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov do t’i kthejë ikonën e dhuruar kryesuesit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, derisa të sqarohet situata në lidhje me origjinën e ikonës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ikona do të kthehet për të sqaruar më tej historinë e saj përmes Interpolit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë në një deklaratë të transmetuar nga “Russia Today”.

Dodik i dhuroi Lavrovit një ikonë të vjetër 300 vjeçare të praruar e cila u gjet në Lugansk. Në pjesën e pasme të ikonës është vula e Komitetit Ukrainas për Kulturë nga viti 1920.

Tre ditë më parë, Ambasada e Ukrainës i dërgoi një notë Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së, duke e quajtur ikonën një objekt të trashëgimisë kulturore të Ukrainës dhe duke kërkuar një shpjegim për origjinën e saj.

Prokuroria e BeH-së më pas hapi një lëndë dhe njoftoi se do të kryejë kontrolle.

Kjo ngjarje u karakterizua si një skandal diplomatik dhe në ditët e fundit tërhoqi shumë vëmendjen e mediave në të gjithë botën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme