Google ADS

Gazetarët përfundojnë në burg, sepse hulumtojnë për coronavirusin

09:27 | 18 Dhjetor 2020
A. B.

Organizata “Reporterët pa kufi” bën bilancin: Aktualisht, 387 vetë që punojnë në media ndodhen pas hekurave. Gjendja është përkeqësuar për shkak të COVID-19.

“Numri i madh i gazetarëve të burgosur në botë tregon për rreziqet që ekzistojnë aktualisht për lirinë e shtypit,” thotë Katja Gloger, kryetarja e seksionit gjerman të organizatës, “Reporterët pa kufi”. Shumë qeveri kanë reaguar ndaj protestave, gjendjes së vështirë ose krizave si ajo e COVID-19, me raprezalje ndaj atyre „që sjellin lajme të këqija”, thotë ajo duke pasur parasysh raportin vjetor të organizatës.

Pjesa e parë e tij merret me të burgosurit, të rrëmbyerit dhe të zhdukurit. Në burg ndodhen aktualisht 387 punonjës të mediave. Pjesa e dytë e raportit do të botohet pak para Vitit të Ri. Në të bëhet fjalë për gazetarët e vrarë. “Pas çdo rasti fshihet fati i një njeriu, që kërcënohet nga procese gjyqësore, burgosje dhe keqtrajtime, sepse nuk i nënshtrohet censurës dhe represioneve,” shpreh shqetësimin e saj shefja e organizatës, Gloger.

Raportimet kritike për Coronën me pasoja të mëdha

Kolegia e saj, Sylvie Ahrens-Urbanek numëron raste konkrete nga Afrika. Gazetari i njohur investigativ Hopewell Chin’ono nga Zimbabve, bëri hulumtime për shitjen nga qeveria të medikamenteve mjekësore super të shtrenjta për të mjekuar COVID-19. „Ai u nxorr brutalisht nga shtëpia dhe u arrestua”. Ai u mbajt në burg një muaj e gjysmë, lirimi me kusht u refuzua disa herë, raporton DW.

Në burg ndodhet ende gazetari ruandez, Dieudonné Niyonsenga. Ai është drejtor i televizionit online “Ishema” dhe akuzohet se nuk ka respektuar rregullat e vendit për Coronën. Sipas informacioneve të „Reporterëve pa kufi”, ai është arrestuar në muajin prill. Ai pati raportuar për ndikimet që kanë rregullat shtetërore në jetën publike, thotë ekspertja për Afrikën, Afrika- -Urbanek. Në sytë e qeverisë së Ruandës, eksplozive kanë qenë mbase raportimet e Niyonsengas, se ushtarët kanë bërë përdhunime gjatë orëve të ndalim-qarkullimit.

Numri më i madh i gazetarëve të arrestuar ndodhet në Kinë

Rastet nga Ruanda apo Mozambiku konfirmojnë vlerësimet e „Reporterëve pa kufi” për ekzistencën e një tendence globale. Megjithëse Afrika është prekur më vonë nga pasojat e pandemisë se sa Azia dhe Europa: „Ne shohim se atje janë shtuar sulmet ndaj lirisë së shtypit, me rritjen e numrit të infektimeve të Coronës,” thotë Ahrens-Urbanek. Kur virusi i Coronës filloi të përhapej gjithnjë e më shumë, në periudhën 15 mars deri 15 maj, numri i gazetarëve që kanë përfunduar në burg është trefishuar në krahasim me një vit më parë. Gjithsej, deri në fund të nëntorit janë arrestuar 40 burra dhe gra „me siguri për shkak të raportimeve për pandeminë.”

Egjipti është vendi afrikan me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur, 30 prej tyre. Në krye të listës mbetet Kina, me 117 arrestime. Numri i përgjithshëm për të gjitha vendet më1 dhjetor të këtij viti ka qenë 387, me dy më pak se në vitin rekord 2019, vitin e tretë radhazi me rritje të numrit të të burgosurve. Gjithnjë e më shumë gra përfundojnë pas hekurave për shkak të punës së tyre gazetareske. Aktualisht, 42 gra të mediave ndodhen në burg, 35 përqind më shumë se një vit më parë. Në Iran dhe Bjellorusi ndodhen përkatësisht nga katër gra të mediave në burg.

I burgosuri më i famshëm në Evropë: Julian Assange

Shumë „e pamëshirmshme” ka qenë sjella e qeverisë së Bjellorusisë kundër çdo lloj raportimi. Që prej zgjedhjeve të 9 gushtit, „Reportertët pa kufi” kanë regjistruar 370 arrestime të gazetarëve që kanë raportuar për protestat e vazhdueshme kundër rizgjedhjes së kontestueshme të presidentit Aleksandër Lukashenko. Në pjesën më të madhe të rasteve pasojat kanë qenë arrestime për pak kohë. Por ndërkohë kanë filluar proceset e para penale kundër punonjësve të mediave, që sipas raportit, mund të përfundojnë me “burgime afatgjata”.

I burgosuri më prominent i Europës është Julian Assange. Themeluesi i Wikileaks-it është duke pritur në burgun britanik të sigurisë së lartë Belmarsh, vendimin për ekstradimin në SHBA, një proces që është kritikuar shumë internacionalisht. Vendimi do jepet në fillim të janarit. Në raportin aktual të „Reporterëve pa kufi”, thuhet se kushtet në burg janë “përkeqësuar shumë” gjatë pandemisë së Coronës. Rreziqet e infektimit dhe pasojat e izolimit, “përbëjnë rrezik për jetën duke patur parasysh gjendjen e rëndë të shëndetit psiqik dhe fizik të Assanges.”

54 gazetarë të rrëmbyer dhe të zhdukur

“Reporterët pa kufi” janë shumë të shqetësuar për gazetarët e rrëmbyer dhe të zhdukur. Në Afrikë, ku nuk u zhduk asnjë gazetar në vitin 2019, janë zhdukur këtë vit dy gazetarë, sipas të dhënave të Sylvie Ahrens-Urbanek. Deri më 1 dhjetor nuk ka pasur asnjë të dhënë për gazetarët e zhdukur në Mozambik dhe Republikën Demokratike të Kongos, se “kush i ka rrëmbyer, a janë të gjallë apo jo”. I paqartë është edhe fati i një reportereje në Peru dhe një reporteri në Irak.

Në duart e rrëmbyesve ndodhen aktualisht 54 gazetarë, nga tri vende ku ka luftë civile: Siri, Irak, Jemen. “Reporterët pa kufi” angazhohen në nivele të ndryshme për lirimin e të burgosurve, të rrëmbyerve dhe të zhdukurve. Në rastin e blogerit iraian Ruhollah Sam, shpresat për të pasur një fund të mirë janë shuar. Ai u ekzekutua ditën e shtunë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme