Google ADS

Zaev pendohet, nuk do të ftojë takim liderësh

23:48 | 15 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Kryeministri Zoran Zaev nuk do të thirr takim liderësh. Kreu i ekzekutivit e mohoi këtë mundësi vetëm një ditë pasi e kishte paralajmëruar se do ta ftojë personalisht një takim të tillë nëse këtë nuk e bënte Presidenti.

“Kam parë një reagim në fejsbuk të shefit të opozitës në të cilën thuhej “po” do të bisedohet për Qeveri teknike, për paaftësinë e qeverisë dhe sistemit shëndetësor, për dështimin me Bullgarinë… Pse të thirr takim liderësh? Për çfarë? Unë nuk pajtohem aspak me këto çështje. Sado që të jetë e palogjikshme, histerike dhe e papërgjegjshme, do të thoja që është edhe çmenduri.”-tha Zoran Zaev, kryeministër.

Ndërkohë kreu i opozitës Hristijan Mickoski beson se ka shumë për t’u folur në takim. Sipas tij, aktorët relevant, liderët e partive politike, pa kreun e shtetit Pendarovskin duhet të bisedojnë për çështjen me Bullgarinë, krizën shëndetësore dhe atë ekonomike.

“Unë nuk shoh dallim mes qëndrimeve të Zoran Zaevit dhe të Stevo Pendarovskit. Nëse aty njëri do të flasë dhe tjetri do të pohojë me kokë, nuk ka nevojë. Prandaj them të ulemi ne aktorët relevant politik, partitë nga pushteti, partitë nga opozita, aq sa ka nevojë, një ditë, dy ose tre dhe të flasim hapur mes vete, jo nëpërmjet mediave.”-shkroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

Edhe opozita shqiptare prej kohës kërkon takim liderësh.

“Ne kemi propozuar që vendi të krijojë një qeveri të zgjeruar dhe të gjithë së bashku t’u qasemi në mënyrë më praktike dhe më cilësore këtyre probleme. Natyrisht se Qeverisë së zgjeruar është e logjikshme që t’i paraprijë një takim i liderëve ku do të bisedohet edhe për çështje të tjera që e tangojnë Maqedoninë si çështja me Bullgarinë, problemet me pandeminë, kriza ekonomike…”-tha Elmi Aziri, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Pushteti ka mohuar kategorikisht çfarëdo negociate për formimin e ndonjë Qeverie të përkohshme./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme