Shqipëri: 14 viktima dhe 788 raste të reja me koronavirus

17:12 | 13 Dhjetor 2020
A Z

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se sot janë regjistruar 14 viktima nga koronavirusi në vendin tonë, ndërsa nga 2501 testime janë zbuluar 788 raste të reja. Të shëruarit sot janë 300. Me gjithë përpjekjet e mjekëve në 24 orët e fundit nuk arriti që të fitojë betejën me sëmundjen prof. Mihal Kërçi, mjeku i njohur anestezist, i cili ka pasur një kontribut të çmuar në mjekësinë shqiptare.

Po ashtu kanë humbur jetën edhe 13 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 6 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Fieri, 1 qytetar nga Kuçova, 1 qytetar nga Divjaka, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Mirdita, të moshave 43-83 vjeç.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 300 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 24.820 që nga fillimi i epidemisë. Numri i të shtruarve në spitale vijon të jetë i qëndrueshëm sipas ministrisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 454 pacientë, 23 në terapi intensive, 8 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel qytetarëve të kufizojnë kontaktet dhe të shmangin çdo dalje të panevojshme, të mbajnë maskën dhe të kujdesen për higjienën personale, për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë me mjekun e familjes, për t’u referuar për testim, ndjekje të vazhdueshme dhe për rimbursimin e barnave të trajtimit ambulator në banesë.

Të ngjashme