Zemërim dhe gaz lotsjellës në Tiranë

09:00 | 11 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Në Tiranë vazhduan të enjten protestat pas vrasjes së të riut 25 vjeçar nga një polic dy ditë më parë. Protestat u shoqëruan edhe me akte të dhunshme. Ndërkohë ministri Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Ministri Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër LLeshi ka dhënë të enjten (10.12) dorëheqjen. Dorëheqja erdhi menjëherë pas protestës së dhunshme të mbrëmjes së të enjten për shkak të vrasjes të martën, (08.12) të 25 vjeꞔarit, Klodian Rasha, nga një efektiv i forcave speciale kur kishte shkelur orën policore të qarkullimit. Lajmin e dorëheqjes e bëri me dije Kryeministri Rama në një konferencë online për mediat, të paralajmëruar prej tij në median sociale, para se të mbërrinte në Tiranë nga SHBA, ku ndodhej prej disa ditësh.

“Ministri Lleshaj ka njoftuar dhe ka dhënë dorëheqjen e tij. Jam shumë krenar për sensin e përgjegjësisë qytetarë të Sandër Lleshajt. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të vrasjes së një djali 25-vjeçar. Por është vrarë një djalë dhe është hapur një varr dhe një plagë në shpirtin e shqiptarëve”, tha kryeministri Rama në konferencën për shtyp, të enjten në mbrëmje.

Rama: vrasja e 25 vjeꞔarit e dënueshme, pa lidhje me Policinë e Shtetit

Në konferencën për shtyp kryeministri e ka quajtur tragjedinë e dy netëve më parë “një episod të shkëputur, të dënueshëm dhe të pafalshëm, por pa asnjë lidhje me punën dhe frymën e Policisë së Shtetit”. Rama sulmoi presidentin Meta duke e quajtur “provën më ulëritëse të përdorimit disproporcional të forcës së inatit politik e personal në dëm të ligjit, nxitës dhe organizator i serialeve të dhunshme që nuk e ka thënë kurrë një fjalë të vërtetë solidariteti për efektivat e policisë të ndodhur nën presionin e dhunës”.

Po kaq i ashpër ka qënë kryeministri me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që e ka cilësuar si ” Ministri i Brendshëm i masakrës së 21 Janarit 2011, kur qeveria, kryeministria vrau katër protestues krejt paqësorë”. Rama i cilësoi “huliganë pa atdhe, pa din e as iman, ata që mbrëmë i vunë flakën Pemëve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri”.

“Po u them gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, në radhë të parë atyre që edhe mbrëmë u përballën me gurët, me zjarrin dhe tufën e hienave që donin të shqyenin dritare e dyer institucionesh, në emër të Klodianit të ndihen krenarë për uniformën, për sakrificën, për shërbimin e palodhur ndaj ligjit e vendit”, theksoi Rama.

Lleshaj: Dorëheqje e parevokueshme

Në një deklaratë për mediat, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e quan dorëheqjen e tij ” të parevokueshme përballë përpjekjeve të autorëve të 21 janarit për të kërkuar sot një pretekst të ri për dhunë bazuar në një episod tragjik dhe fatal dhe vetëdijes se vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike nga ai i autorëve të masakrave të 1997, 1998 dhe 2011”, theksoi ai duke sjellë në vëmendje episode të rënda dhune, për të cilat e majta sot në pushtet akuzon PD-në, në opozitë.

Protestat vazhdojnë me akte dhune

Dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Lleshaj përbën një nga kërkesat kryesore të protestave kundër policisë për vrasjen e 25 vjeçarit, Koldian Rasha, nga një efektiv i forcave speciale, të hënën, por pasi kishte kaluar mesnata.

Edhe në mbrëmjen e të enjtes protestuesit vijuan të kryejnë akte dhune para Ministrisë së Brendshme, Kryeministrisë dhe Muzeut Historik Kombëtar. Ata përdorën sërish sende të forta për të goditur policët dhe sulmuar institucionet.

Mes protestuesve pati nga ata që u vunë flakën kazaneve të plehrave, shkulën semaforët e qarkullimit rrugor, thyen xhamat e dritareve të institucioneve si edhe rrëmbyen një zjarrfikëse. Akte vandalizmi u kryen edhe tek selia e Partisë Socialiste. Për t’i zmprapsur policia përdori gazin lotsjellës dhe ujë me presion. Të enjten edhe sheshi “Skënderbe” në qendër të Tiranës, i zbukuruar për festat e fundvitit u zbardh nga gazi lotsjellës dhe uji me presion./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme