Miroslav Lajçak pas takimit të dështuar në Bruksel: Shihemi në vitin 2021

21:26 | 10 Dhjetor 2020
L G

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laiçak, ka përshëndetur raundin e shtatë të bisedimeve që u zhvilluan sot në Bruksel.

Lajçak në një postim në Twitter bëri të ditur se sot dhe vazhduan diskutimet mbi pretendimet financiare dhe pronësore.

Ai theksoi se dialogu do të rinis në 2021.

“Mirëprita kryenegociatorët e Beogradit dhe Prishtinës për raundin e 7-të në Bruksel sot. Ne vazhduam diskutimet tona mbi pretendimet financiare dhe pronësore dhe do të rinisim përsëri në 2021”.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni pas takimit me përfaqësuesin serb, Petar Petkoviq, ka thënë se nuk kanë arritur të bëjnë përparim drejt dakordimit.

Hyseni tha se janë përpjekur seriozisht për t’i trajtuar temat në dialog, por që sipas tij, kjo përpjekje mungoi nga pala serbe.

“Sot përkundër përpjekjeve shumë serioze të delegacionit të Kosovës për të vazhduar trajtimin e temave të kadastrit e pensioneve në kuadrin e temës së pretendimeve financiare dhe të pronës, nuk është arritur ndonjë përparim. Ende qëndrimet janë larg njëra-tjetrës, nuk ka përafrim. Edhe sot kemi mbetur në pozicionet e njëjta që kishim më 29 nëntor, palët dhe ndërmjetësuesi janë dakorduar që rreth këtyre elementeve specifikë të vazhdojnë bisedimet pas Vitit të Ri”, tha Hyseni.

Ai e demantoi Petkoviqin se në këtë takim është biseduar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Hyseni foli gjithashtu [ër marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, teksa tha se beson që edhe administrata Biden do t’i qëndrojë pas kësaj marrëveshjeje.

“Unë nuk pres ndonjë ndryshim rrënjësor, sepse Kosova është e bekuar që ka pasur përkrahjen pa ekuivoke të partive në SHBA, qoftë të demokratëve qoftë të republikanëve. Unë isha më herët në SHBA dhe Kosova është siguruar që do të ketë përkrahjen e SHBA-së. Nuk shoh mundësi që administrata e re të heqë dorë nga Marrëveshja e 4 shtatorit. Këtë e ka konfirmuar ditë më parë edhe kryeministri Hoti”, tha Hyseni.

Në takimin e sotëm në nivel ekspertësh, temë e diskutimeve ishin kadastri dhe pretendimet financiare.

Të ngjashme