Google ADS

LVV përkujton gratë e vrara nga burrat, kritikon institucionet për neglizhencë

20:06 | 10 Dhjetor 2020
L G

Lëvizja Vetëvendosje përmes një aksioni simbolik ka përkujtuar gratë e vrara nga burrat e tyre.

Në kuadër të fushatës, “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”, partia e Albin Kurtit, mbrëmjen e sotme ka ndezur 59 qirinj para objektit të Qeverisë së Kosovës. E pikërisht institucioneve iu adresuan kritika për neglizhencë karshi dhunës që po ushtrohet ndaj grave.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli-Dalipi tha se dhuna ndaj grave ka marrë përmasa shqetësuese.

“Sot je mbledhur këtu që të përkujtojmë 59 gra të cilat janë vra nga burrat e tyre që nga periudha e pas luftës, e deri më sot. Kjo situatë ka marrë një përmasa shqetësuese dhe duhet të punojmë si shoqëri, si institucione ta zgjedhim sa të jetë e mundur. Të vetëdijësojmë shoqërinë tonë sepse është e rëndësishme që dhuna në familje të mos ekzistojë më tutje në shoqërinë shtetit tonë të ri”, tha ajo.

Ndërsa, aktivistja, Liridona Kelani tha se institucionet e Kosovës e kanë neglizhuar tej mase dhunën që po bëhen grave në familje, në rrugë e kudo tjerët.

“Në përkujtim të 59 grave dhe vajzave të vrara nga burrat, ne për secilën prej tyre ndezëm nga një qiri. 59 grave i është mohuar e drejta e jetës nga burrat që nga paslufta. Shumë gra të tjera rrezikohen të vriten nga dhuna në familje, institucionet përgjegjëse me mos ndërhyrjen e tyre po e nxisin dhe legjitimojnë dhunën dhe vrasjen ndaj grave. Institucionet e Kosovës e kanë neglizhuar tej mase dhunën që po bëhen grave në familje, në rrugë e kudo tjerët. Ata kanë dështuar t’i mbrojnë qytetarët që kërkojnë ndihmë nga institucionet”, tha ajo.

Sot është përmbyllur fushata ndërkombëtare, “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”, e cila ka filluar më 25 nëntor.

Të ngjashme