Shpërthimi në Bejrut, kryeministri i përkohshëm akuzohet për neglizhencë

17:11 | 10 Dhjetor 2020
Arditë Shkodra

Një gjykatë në Liban akuzoi kryeministrin e përkohshëm të këtij vendi, Hassan Diab, dhe tre ish-ministra për neglizhencë, në lidhje me një shpërthim në portin e Bejrutit.

Burimet gjyqësore thanë se të katërtit do të merren në pyetje javën e ardhshme, në lidhje me paralajmërimet që kanë marrë për ruajtjen e pasigurt të nitratit të amonit në një depo.

Më 4 gusht, një zjarr në depo ka shkaktuar shpërthimin e 2,750 tonelatave kimikate.

Për pasojë, mbi 200 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa dëmi i shkaktuar është vlerësuar në mbi 4.6 miliardë dollarë.

Diab dhe kabineti i tij kanë dhënë dorëheqje pak ditë pas incidentit.

Ai dhe tre të tjerët janë politikanët e parë që akuzohen në kuadër të hetimeve që udhëheq gjykatësi Fadi Sawan.

Një burim nga gjykatësi i tha agjencisë së lajmeve AFP se ata akuzohen se “kanë marrë disa paralajmërime me shkrim kundër shtyrjes së hedhjes së nitratit të amonit”.

“Ata gjithashtu nuk i kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të shmangur shpërthimin shkatërrues”, shtoi burimi.

Rreth 30 persona të tjerë janë ndaluar në kuadër të hetimeve. /rel

Të ngjashme