Google ADS

Eurodeputetët: Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE

14:44 | 10 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetja portugeze, Isabel Santos deklaroi sot se Shqipëria ka punuar shumë për të plotësuar kushtet e vendosura nga KE.

Në prezantimin e draft-raportit të saj në Komisionin e Punëve të Jashtme të PE, Santos tha se, “patjetër që jemi përqëndruar tek reformat. Në fakt nuk ka ndryshime thelbësore në krahasim me raportet e tjera dhe pikëpamjet tona s’kanë ndryshuar me ato që kemi thënë më parë. Në draft-raportin tim, kam ndjekur edhe pikëpamjet e KE. Kërkesat që ka bërë KE duhet të plotësohen”.

Ajo kërkoi që “të vijojë reforma kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Duhet të përfundohet Reforma në Drejtësi”.

Santos theksoi se, “të gjitha forcat politike duhet të përfshihen në normalizimin e jetës politike në vend”.

“Pavarësisht kushteve për shkak të pandemisë, Shqipëria ka punuar shumë për të përmbushur kushtet dhe për të ecur përpara. U bë një marrëveshje e 5 qershorit që duhet të ruhet, në të mirë të vendit, për të pasur sa më shumë përfitime për popullin shqiptar, për vetë Shqipërinë. Dëshira e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e BE është e madhe dhe këtë s’duhet ta harrojmë”, tha ajo.

Ndërsa eurodeputeti suedez, David Lega u shpreh se, “ “Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE. Populli shqiptar e meriton një progres të qëndrueshëm. Shpresoj shumë që të bashkëpunoj me raportuesen për Shqipërinë për të vijuar punë me raportuesen”.

Eurodeputeti sllovak, Michal Simecka tha se, “është koha që ky Komitet të mbështesë Shqipërinë dhe procesin e zgjerimit në përgjithësi. E përgëzoj Shqipërinë për reformat që ka bërë në tërësi dhe reformën në gjyqësor në veçanti. Është shumë i rëndësishëm progresi në 5 kushtet që janë kërkuar dhe Shqipëria ka ecur mirë”.

Ndërsa, Drejtuesja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella duke folur në emër të KE tha se, “është arritur shumë progres, por Shqipëria patjetër që duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për reformat. Të gjitha institucionet duhet të vazhdojnë të ecin më tej. Duhet të theksoj ngritjen e Gjykatës Kushtetuese që është shumë e rëndësishme për nisjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë”.

“Vlerësojmë Shqipërinë për përpjekjet e saj dhe për përfshirjen në bashkëpunimin rajonal. KE është i gatshëm të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë drejt rrugës së saj në BE”, u shpreh Matuella./ATSH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme