Qeveria e Kosovës me një vendim i’a ka marrë rreth 500 mijë euro komunës së Ferizajt, mjete këto që kjo komunë pritej t’i shfrytëzonte për ndërtimin e spitalit.
Kjo u bë me propozim nga Ministria e Shëndetësisë.
Paratë e marra do të shfrytëzohen për pajisje mjekësore për Laboratorët e Mikrobiologjisë dhe aparatet testuese dhe shërbimin shëndetësor të burgjeve.
Projekti për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt kishte nisur vitin e kaluar.
Se sa do të dëmtohet projekti pas këtij vendimi ? Dhe a do të ndërpriten punimet për ndërtimin e spitalit, në një intervistë në Edicionin Special, ka folur drejtori i Urbanizimit në Ferizaj Lulzim Aliu.
Aliu tha se krejt problemi i ndërtimit të Spitalit të Ferizajt nuk qëndron vetëm tek mjetet financiare.
“Telashet për spital kanë filluar pak më herët këtë vit, rreth telasheve që ka pasur me projekt rreth para masës së armaturës, që nuk ka qenë e mjaftueshme për ndërtim. Edhe pastaj është prolonguar ndërtimi i spitalit përafërsisht për shtatë muaj”.
“Ndërsa telashe me buxhet nuk kemi pasur dhe ministri nuk e ka shprehur asnjëherë që kemi telashe me buxhet, mirëpo unë mendoj që kjo ka ardhur si pasojë se këto mjete nuk janë harxhuar tërë vitin. Po të punohej si duhet ato mjete do të harxhoheshin, por tash në fundvit ka mbetur një pjesë e parave e pashfrytëzueshme dhe kjo shumë qenka diku 500 mijë euro, dhe Ministria ka marrë vendim për me i shpërnda aty ku ka pasur nevojë”.
“Por, në takimet që i kemi pasur me ministrin, për këtë vendim nuk kemi qenë të njoftuar por pas takimeve që i kemi pasur me ministrin nuk ka pasur asnjë telashe. Punët kanë rifilluar pas periudhes shtatë mujore dhe çdo gjë është në rregull”.
Kreu i Urbanizmit në Ferizaj theksoi se pret që mjetet e marra nga Qeveria të kthehen vitin e ardhshëm.
“Gjithsesi shuma do të rikthehet sepse nuk është marrë asnjë vendim që të ndërprehen punimet. Ndërprerja e punimeve është bërë për shkak të telasheve të projektit dhe ne kemi këmbëngulë. Unë si drejtor i Urbanizmit, së bashku me sektorin për menaxhimin e projekteve në kuadër të shëndetësisë. Unë kujtoj që ata pa të drejtë e kanë prolongua punën për këta shtatë muaj, për shkak se gjatë kësaj periudhe të kontrollit të projektit, kanë mundur të kryhen shumë punë të tjera që nuk lidhen vetëm me armaturën, dhe sasinë e armaturës, por megjithatë janë ndërprerë”.
Lulzim Aliu, shton se gjatë kohës së pandemisë komuna e Ferizajt ka punuar pa e kthyer kokën kah ministritë, që sipas tij nuk e kanë kryer punën si duhet.
“Janë formuar disa komisione për shqyrtimin e këtij projekti, kjo ka ndodhur edhe pas kërkesës së mjekëve të Spitalit të Ferizajt që kanë kërkuar që spitali të përmirësohet sidomos tek sallat e operacionit me qenë me një kat. Të gjitha këto përmes një komisioni që me pa si me revidu projektin. Por, telashe nuk ka”.
“Qeverisja lokale në Ferizaj e ka bërë punën në kohë pandemi pavarësisht Ministrisë. Kryetari i komunës bashkë me shtabin emergjent e ka organizuar punën ashtu që mos me pritë edhe mos me kthye kokën kah ministritë, sepse këto kanë pasur shumë pengesa dhe nuk e kanë kryer punën ashtu siç duhet”.
“Ferizaj është rasti i vetëm kur edhe shërbimi primar dhe sekondar edhe terciar janë bërë bashkë të menaxhuar nga kryetari i komunës. Të gjitha nevojat dhe kërkesat e qytetarëve janë kryer me sukses”.
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...