Google ADS

Merkel i thur lavde dy shkencëtarëve turq për vaksinën anticovid

00:06 | 8 Dhjetor 2020
Trina Galanxhi

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përgëzuar Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të dy emigrant turq në Gjermani, për zbulimin e vaksinës anticovid.

Në fjalën e saj për radion Metropol FM, Merkel tha se Sahin dhe Tureci kanë dhënë një kontribut shumë të madh për shkencën nëpërmjet kompanisë së tyre BioNTech.

Falë kësaj kompanie, vaksina do të shpërndahet nëpër të gjithë Europën në fillim të janarit, ku 70% e popullsisë do të duhet të imunizohet nga virusi për të ndaluar përhapjen e pandemisë.

“Do të na duhen muaj që të vaksinojmë shumë qytetarë. Stafet mjekësore duhet të sigurohen me masat e duhura. Pjesa e dytë e 2021 do të na shërbejë për të pasur më shumë vaksina, por për shkak të muajve të dimrit, për momentin nuk mund të kemi mjaftueshëm”, ka thënë Merkel.

Merkel gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat paraprake kundër pandemisë, veçanërisht në dimër.

Gjermania numëroi 147 të vdekur në 24 orët e fundit, ndërkohë që janë raportuar 12.332 raste pozitive.

Numri i të vdekurve ka arritur në 18,919 në vend, ndërsa 1.18 milion qytetarë gjermanë janë infektuar me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

Vaksina “BNT162b2”, e zhvilluar nga BioNTech, ka një efikasitet 94% në të rriturit e moshës 65 vjeç e lart, sipas rezultateve të studimeve klinike.

Nëse merren miratimet e nevojshme, BioNTech dhe Pfizer po planifikojnë të prodhojnë më shumë se 50 milion doza deri në fund të këtij viti dhe potencialisht mbi 1.3 miliardë doza deri në fund të 2021./reporteri/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme