Përdorimi i rrugëve jostandarde për shtetndërtim dhe çlirim, solli rrezikun e konflikteve të brendshme politike e ideologjike, deri edhe akuzat për tradhti, në rastin e parë, dhe akuzat për krime të luftës, në rastin e dytë. Armiqtë këtë rrethanë e shfrytëzuan.
Milazim KRASNIQI
Në rrugën e rëndë të çlirimit e të pavarësimit të Kosovës, Gjykata Speciale është dështimi më i madh i saj. Si erdhi puna deri këtu? Kjo punë ka një histori që fillon që nga koha kur u proklamua projekti i pavarësimit të Kosovës, në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish federatës së Jugosllavisë. Meqë statusi i Kosovës nuk ishte i një republike, ajo nuk mundi të ndiqte rrugët që ndoqën republikat që përbënin ish federatën. Bile, para se të fillonte procesi i shpërbërjes së ish federatës, Kosovës iu hoq edhe autonomia që kishte, për ç’arsye ajo nuk pati mundësi të përfshihej në negociatat që pasuan. Edhe raporti i Badenterit e përjashtoi nga ajo mundësi. Prandaj procesi i pavarësimit filloi nga gjendja e okupimit të plotë. Për atë shkak edhe u ndoqën rrugë jostandarde, sikundër ishte krijimi i institucioneve paralele, që bashkëjetonin me ato të okupatorit, si edhe fillimi i luftës çlirimtare, jashtë ombrellës së institucioneve legale. Përdorimi i rrugëve jostandarde për shtetndërtim dhe çlirim, solli rrezikun e konflikteve të brendshme politike e ideologjike, deri dhe akuzat për tradhti në rastin e parë dhe akuzat për krime të luftës, në rastin e dytë. Armiqtë e shfrytëzuan këtë rrethanë. As pas luftës dhe çlirimit të vendit nuk u gjetën rrugë që të sanoheshin këto plagë të rënda.
Meqë Kosova nuk e ka fituar vetëluftën kundër Serbisë, veçse ka dalë prej saj si protektorat i OKB-së, ajo mbeti e eskpozuar edhe ndaj presioneve të Serbisë, po edhe ndaj eksperimenteve të bashkësisë ndërkombëtare e keqqeverisjes vendore, që është pjesë e planifikuar e po atij eksperimenti. Krahas izolimit ndërkombëtar dhe statusit të papërmbyllur si shtet, kulminacioni i këtij dështimi të planifikuar është Gjykata Speciale. Por, ia vlen të evokohet se nëpër çfarë rrugësh tërthore arritëm deri në këtë pikë? Nëse kuptohen drejt tërë gabimet e bëra gjatë kësaj rruge, ndoshta edhe mund të bëhen korrigjime të pasojave.
Institucionet e republikës së proklamuar të Kosovës në vitet 1992-1999, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti, është dashur të merrnin përgjegjësitë e plota për udhëheqjen e vendit në okupim, duke organizuar edhe rezistencën e armatosur, kurdo që ishte e domosdoshme që të aktivizohej e të zgjerohej ajo rezistencë. Momenti kur u paraqit ajo domosdoshmëri, ishte pas Konferencës së Dejtonit, 1995, ku u kuptua që Kosova u injorua dhe që, faktikisht, i vinte radha për konflikt të armatosur, pas arritjes së një marrëveshjeje të paqes për BeH. Aty ishte momenti kur institucionet shtetërore duhej ta merrnin iniciativën. Por, ato pikërisht në vitet 1995-1999 bënë të kundërtën: u pasivizuan dhe u stërkeqën edhe më shumë. Kjo përgjegjësi, për lënien e vendit pa organizim adekuat me zhvillimet në terren, mund të fshihet, mund të minimizohet, por nuk mund të injorohet asnjëherë. Edhe aq sa është ndihmuar rezistenca e armatosur nga ana e institucioneve shtetërore, ishte veprim krye më vete i qeverisë në mërgim, e cila me ato veprime u rebelua ndaj politikave të Presidentit dhe të Parlamentit të atëhershëm. Por, si bashkërendimi, si ndihma e saj, ishin joadekuate, ngase Qeveria, me aq sa kontribuoi, faktikisht iu ndajmbath projektit çlirimtar jashtëqeveritar e nuk arriti ta integronte atë projekt, pra UÇK-në, nën ombrellën e qeverisë.
Lëvizja Popullore e Kosovës, kur ka marrë vendimin për fillimin e organizimit të luftës së armatosur, ka qenë e nevojshme ta kërkojë një kornizë zyrtare bashkërendimi me institucionet ekzistuese të Republikës së proklamuar të Kosovës. Iniciativa mund të ketë pasur, por, me aq sa ne dimë, rezultat nuk është siguruar. Nuk ka një dokument ku do të faktohej se UÇK-ja u subordinohet institucioneve shtetërore, Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit të Republikës së proklamuar të Kosovës. Korniza e tillë do të mundësonte që lufta e armatosur të ishte e mbrojtur nga kuadri kushtetues dhe kuadri ligjor ekzistues i Kosovës. Ndërsa në rast se do të ishte funksionalizuar, do t’i jepte UÇK-së më shumë resurse dhe mundësi që të paraqitej si forcë çlirimtare legale. Nga sa unë kam informacion, meqë kjo nuk është bërë, sot paraqet hendikep, veçmas për ata që po gjykohen në Hagë, po edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për vetë Kosovën e sotme. Minimalisht, ato dokumente do ta mbronin organizatën, duke eliminuar rrezikun që të cilësohet si e udhëhequr nga një “grup i organizuar kriminal.”
Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të duhej të kishte që nga fillimi kërkesa drejt institucioneve relevante, NATO-s në rend të parë, për të pasur vëzhgim dhe vëzhgues në terren. (Nuk e di a ka pasur, po nëse ka pasur, dëshmitë e tyre mund të jenë të rëndësishme në procesin gjyqësor në Hagë.) Sikundër dihet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka pasur vëzhgues të huaj në radhët e lëvizjeve çlirimtare, fjala vjen në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Raportet e ekipeve angleze e amerikane kanë qenë me rëndësi vendimtare që të pranohej statusi i aleatëve në luftë. Nga sa dihet deri sot, bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n ka qenë intensiv gjatë kohës së bombardimeve, kur NATO është involvuar direkt në konflikt dhe kur asaj i është dashtë bashkëpunimi e bashkërendimi. Por, edhe ajo histori e bashkëpunimit deri sot është minimizuar dhe mbase edhe është injoruar.
Për hir të ndihmës vendimtare për çlirimin e Kosovës që dha NATO, me bombardimet 78 ditore, çdo pjesëtar i UÇK-së dhe çdo pjesëtar i shoqërisë sonë është dashur të kishte kujdes shtesë, që të mos dëmtohej me asgjë partneriteti me atë aleancë. Provokimet e paadresuara të individëve e grupeve ndaj minoritetit serbë menjëherë pas çlirimit dhe, veçmas, në marsin e vitit 2004, dhuna politike dhe tendencat abuzive me resurset e vendit, kanë krijuar siklet për NATO-n/KFOR-in, gjatë ushtrimit të mandatit paqeruajtës. Veçmas viti 2004 ka qenë shumë problematik në këtë kontekst, ku faktikisht konflikti ndërmjet protestuesve dhe forcave të KFOR-it u shndërrua në dhunë dhe mori jetë njerëzish. Rrjedhimisht, u krijuan dyshime dhe distancime të dëmshme, ndërsa serbët filluan të trajtohen si viktima.
Qeveria e Përkohshme nuk do të duhej të ishte formuar pa pjesëmarrjen e LDK-së dhe bashkë me këtë pa inkorporimin e Qeverisë në Mërgim, në mënyrë që të mos bëhej vendi me dy qeveri, siç faktikisht e fatkeqësisht u bë. E dyta, në ditën që UNMIK-u mori mandatin, do të duhej të pushonte mandati i Qeverisë së Përkohshme dhe Qeverisë në Mërgim, duke e lënë të gjithë pushtetin legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor në duart e UNMIK-ut, që i takonte sipas rezolutës 1244. Vazhdimi i mandatit të qeverive paralele deri me 31 dhjetor 2000, pa pasur asnjë kompetencë, vetëm i ka ngarkuar me përgjegjësi për zhvillimet negative që pasuan dhe e ka nxitur rivalitetin e panevojshëm dhe të dëmshëm ndërmjet partive politike. Veçmas Qeveria e Përkohshme ka qenë dhe ka mbetur në thumb të dyshimeve gjatë asaj periudhe, gjë që tash e bën të qartë se ajo nuk do të duhej të mbahej në këmbë vetëm sa për t’u ngarkuar me faje të bëra e të pabëra.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare do të duhej të ishin mbajtur bashkë, në vitin 2000, siç ka qenë plani fillestar, të cilin në vjeshtë të vitit 1999 e pati prezantuar në Prishtinë Xhejm Dabins, emisari i presidentit Klinton. Mosmbajtja e zgjedhjeve parlamentare deri në vitin 2001 pati shkaktuar vakum dhe probleme të rënda, të cilat pastaj janë kthyer si akuzë ndaj partive politike shqiptare dhe vetë shoqërisë sonë.
Narrativa për Kosovën e viteve të nëntëdhjeta do të duhej të ishte e vendosur mbi vuajtjet dhe mbi viktimat që i ka shkaktuar aparteidi dhe gjenocidi serb. Në vend të kësaj, u promovua triumfalizmi, gjë që shkaktoi huti e pakënaqësi te viktimat, pra te shumica absolute e popullit shqiptar, sepse triumfalizmi i një dore të ish luftëtarëve nuk përfaqësonte vuajtjet e asaj shumice. Pastaj pakënaqësia e asaj shumice, në disa raste, do të jetë menaxhuar me presione, gjë që vetëm e ka përkeqësuar edhe imazhin e edhe gjendjen në shoqëri. Injorimi politik, social e ekonomik për viktimat, për të zhdukurit, për të dhunuarat, për dëmtimin e pronave, për dëbimin nga vendi, u instalua, për t’i lënë vend një narrative për triumfalizmin, i cili u përdor si mjet politik për të fituar pushtet. Trimëria e secilit që e ka bërë trimëri në luftë meriton respekt të plotë, por ajo do të duhej të vlerësohej brenda qëllimit dhe kohës kur është manifestuar, jo në zgjedhje, jo në tenderë, jo në punësime.
Mostrajtimi i barabartë dhe korrekt i të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së ka krijuar pakënaqësi dhe e ka dobësuar kohezionin e saj si organizatë ushtarake-politike dhe ka krijuar plasa në të cilat janë vënë minat e armiqve të UÇK-së e të Kosovës, për të zhvilluar procese zhvlerësimi ndaj saj, deri në Gjykatën Speciale. Ruajtja e unitetit dhe kujdesi për secilin pjesëtarë dhe raporti më bashkëpunues me grupet e tjera politike e shoqërore do të mund të shmangte ato zhvillime negative. Por, nuk u tregua ai kujdes, gjë që prodhoi pasojat që shihen në politikën e brendshme, por edhe në raport me Gjykatën Speciale.
Gjykata Speciale ka rrezik që mund ta ndryshojë narrativën për karakterin e luftës çlirimtare në Kosovë. Prandaj, do të duhej të gjendeshin fijet që mund të ekzistojnë, për aq sa ekzistojnë, që ajo luftë të lidhet me idealet e popullit për liri e pavarësi, në procesin e shpërbërjes së ish federatës jugosllave, me institucionet legale të viteve të nëntëdhjeta dhe me vlerat e Aleancës Veriatlantike, e cila e finalizoi çlirimin e Kosovës nga Serbia. Po ashtu duhet të afirmohet narrativa që roli i NATO-s ka qenë vendimtar në luftën kundër Serbisë. Nëse UÇK-ja dhe lufta e saj ndërlidhen me idealet e të gjithë popullit, me institucionet legale të asaj kohe dhe nëse pranohet ndershmërisht se lufta në Kosovë realisht ka qenë e NATO-s kundër gjenocidit serb mbi popullin e pambrojtur të Kosovës, ajo mund të shpëtohet nga gjykimi në Hagë, po edhe në histori. Në fakt, gjasat janë që ajo mund të shpëtohet nëse vendoset në një aso kornize të gjerë, ku dëshmorët, luftëtarët dhe viktimat e gjejnë rehabilitimin e vet dhe ku shoqëria e gjen paqen me veten. Vetëm një narrativë e tillë për luftën dhe lirinë do të mund ta pengonte ndryshimin e historisë, e cila mund të jetë më lehtë e ndryshueshme, nëse nuk është gjithëpërfshirëse dhe nëse nuk është e vendosur mbi fakte të qëndrueshme. Nuk do të duhej të pritej goditja e Gjykatës Speciale që shoqëria jonë të fillonte të përmendej. Gjatë këtyre njëzet e një vjetëve në liri e dymbëdhjetë vjetëve në pavarësi, shoqëria jonë do të duhej të kishte gjetur përgjigjet e duhura, si për suksesin e arritur në çlirimin dhe pavarësimin e vendit, si për gabimet e bëra në të kaluarën e afërt. Nëse do të zhvillohej ai debat, nëse do të kishte hapësirë për vlerësimin kritik të të gjitha ngjarjeve e të të gjithë aktorëve, nëse ato vlerësime do të miratoheshin në rezoluta adekuate nga Kuvendi i Kosovës, gjasat janë që si projekti çlirimtar, por edhe gjithë shoqëria jonë dhe shteti ynë i ri, do të ishin harmonizuar dhe rehabilituar në historinë e re. Në atë rast edhe proceset gjyqësore për krimet e individëve a të grupeve do të adresoheshin në gjykata vendore, e jo në Hagë, ku nga sa shihet në pretencën e prokurorisë, një pjesë e historisë së Kosovës është vënë në bankën e zezë.
Ish-krerët e UÇK-së i kërkojnë trupit gjykues që ta ruajë pa...
Erion Veliaj ia uron ditëlindjen Rita Orës: Super goca jonë,...
Kurti: Idealet e Metush Krasniqit janë ideale edhe të kohës ...
Kryeshefi i IPK-së po merr pjesë në Konferencën Profesionale...
Victoria Beckham zbulon arsyen pse nuk buzëqesh kurrë në fot...
Rusia sulmon me një numër rekord dronësh 17 rajone të Ukrain...