Mjeku: Koronavirusi mund të shkaktojë probleme me zemrën edhe tek pacientët e shëndetshëm

17:23 | 6 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Sipas mjekut kardiolog, Andri Çabeli, COVID 19 mund të shkaktojë probleme kardiake, edhe tek pacientët e shëndetshëm. Ai tregon për AbcNews se ka pasur raste ku persona të shëndetshëm, pasi janë shëruar nga virusi COVID 19, janë diagnostikuar me sëmundje kardio-vaskulare.

“Pacientët të cilët nuk kanë sëmundje pre ekzistuese kardio-vaskulare, gjatë prekjes nga ky infeksion mund të zhvillojnë sëmundje të re. Që fillon me dëmtim të muskulit të zemrës, që ne e quajmë në terma mjekësorë si miokardit.

Dhe gjithashtu mund të komplikohet me aritmi kardiake, që shpesh herë mund të bëhen edhe shkak për mortalitetin e të sëmurëve, dhe ajo që është e shpeshtë te kjo sëmundje, formimi i trombeve. Kjo është arsyeja pse shpesh herë mjekët rekomandojnë ato që njerëzit i njohin si hollues gjaku“ tha ai.

Janë disa simptoma që sipas kardiologut nuk duhen neglizhuar. “Dhimbja e gjoksit mund të jetë një shqetësim. Rrahjet e çrregullta, vështirësia në frymëmarrje, kjo ndodh në rastet kur preket në mënyrë të imtësishme muskuli i zemrës, dhe ulet funksioni i pompës së zemrës“.

COVID 19 ka bërë që shumë qytetarë të ndërgjegjësohen më tepër për shëndetin e tyre. Sipas mjekëve, vihet re shtimi I vizitave, sidomos atyre kardiologjike, pasi zemra është një nga organet që prek më së shumti infeksioni Sars-Cov 2.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme