Fundjava e dytë e demonstratave kundër brutalitetit të policisë dhe projektligjit të ri global të sigurisë u shënua me vandalizëm dhe lëndimet e policisë.
Demonstruesit dolën në rrugë të shtunën në gjithë Francën në “Marshimin e Lirisë”, për të protestuar ndaj brutalitetit të policisë dhe projektligjit të ri të sigurisë e cila ka kaluar në parlament.
Protestuesit dolën me moton “Ndaloni Ligjin e Sigurisë”.
Kjo ishte e shtuna e dytë radhazi që vendi u përfshi në demonstrata kundër dhunës së vazhdueshme nga policia dhe legjislacioni i ri, një element i të cilit, konkretisht neni 24, mbështet zbatimin e ligjit që ndalon shpërndarjen e imazheve të policisë të marra gjatë kryerjes së detyrës. Projektligji është kundërshtuar në mënyrë të ashpër nga gazetarët, organizatat e medias dhe grupet e të drejtave të njeriut të cilët thonë se shkel drejtpërdrejt lirinë e fjalës.
Rreth 52.530 njerëz marshuan në 90 protesta në të gjithë Francën, me 5,000 vetëm në Paris. Marshimi filloi nga Porta des Lilas, stacionit të metrosë në kufirin e zonës 19 dhe 20, dhe vazhdoi rrugën drejt Place de la Republique.
Protestuesit dolën në qytetet e tjera të mëdha të Francës, Rennes, Strasburg, Lille, Marsejë, Lyon, Dijon dhe Nantes. Tre të fundit u përfshinë nga dhuna, me disa oficerë të plagosur rëndë në Nantes, njëri nga një koktej Molotovi, sipas të përditshmes franceze “Le Monde”.
Protestat nuk u lejuan në Bordeaux, Montpellier dhe Caen, ku zyrtarët e atjeshëm shprehën shqetësime që marshi të mos dalë nga kontrolli.
Anëtarët e lëvizjes “Jelekët e Verdhë” dhe sindikatat e punëtorëve morën pjesë në marshime. E shtuna e parë në dhjetor të çdo viti shënon ditën kur sindikatat mbajnë tubim kombëtar në solidaritet me punëtorët që janë në gjendje të pasigurisë ose janë të papunë.
Në kryeqytet, trazirat u shkaktuan nga huliganët të cilët hodhën eksplozivë të vegjël dhe bomba tymi ndaj policisë dhe dogjën të paktën gjashtë makina dhe një kamion në Avenue Gambetta. Vandalizmi dhe djegia e gjërave në rrugë dhe barrikadave të improvizuara e karakterizuan protestën edhe një herë, ndërsa u thyen dritaret e një supermarketi, zyre të pasurive të patundshme dhe një banke.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe pompa uji mbi turmën.
Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin i quajti protestuesit “individë shumë të dhunshëm” në një postim në Twitter.
Zhgënjimi me sjelljen e policisë është katalizuar javët e fundit nga rrahja brutale e producentit të muzikës Michel Zecler, një 41-vjeçar me ngjyrë, i cili u keqtrajtua nga tre oficerë brenda një studioje në qarkun 17 të Parisit, duke i shkaktuar dëmtime të rënda dhe gjakderdhje. Pamjet e sulmit 15 minutësh janë filmuar nga kamerat e brendshme të sigurimit; postimi i tyre disa ditë më vonë në mediat sociale shkaktoi trazira. Të tre oficerët u pezulluan menjëherë nga Darmanin.
Demonstrata e së shtunës përfundoi në Place de la Republique.
Deri në orën 20:00, Ministria e Brendshme tha se 64 persona u arrestuan në gjithë Francën, prej të cilëve 21, përfshirë dy të mitur, në Paris.
Për shkak të protestave të vazhdueshme, projektligji i ri i sigurisë është duke u rishkruar nga deputetët./AA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...