Google ADS

Mbi 3 mijë persona hoqën dorë nga nënshtetësia e Kosovës këtë vit

08:00 | 5 Dhjetor 2020
A. B.

Vetëm nga fillimi i këtij viti e deri në nëntor 3159 persona kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës.

Motivet për këtë veprim po konsiderohen të jenë të ndryshme si papunësia, ekonomia e ulët, qeverisja jo e mirë, varfëria e edhe pse disa shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësi e edhe disa shtete të tjera që nuk bëjnë pjesë në BE.

“Gjatë periudhës janar-nëntor 2020, janë liruar nga shtetësia e Kosovës 3159 persona”, thuhet në një përgjigje me shkrim për arbresh.info nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurse të njëjtën periudhë vitin e kaluar janar-nëntor 2019, kanë hequr dorë nga nënshtetësia 4885 persona.

Gjate periudhës se njëjtë janar-nëntor 2019, janë liruar nga shtetësia e Kosovës 4885 persona.

E komuna që prin me më së shumti raste për heqjen dorë nga nënshtetësia është Prishtina, kurse Gjermania është shteti që ka numrin më të madh të kosovarëve që kërkojnë heqjen dorë nga nënshtetësia.

“Arsyet pse personat heqin  dorë nga shtetësia e Republikës se Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashme me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj  kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia  e  mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, thonë në Ministrinë e Brendshme.

Ndërsa sociologu Shaip Hasani në një prononcim për arbresh.info thotë se numri i madh i personave që heqin dorë nga nënshtetësia përpos që është shqetësues është edhe alarmante.

“Numri i madh i personave që heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës përpos që është shqetësuese është edhe alarmante”.

Hasani për këtë e fajëson edhe qeverinë si pasojë e qeverisjes jo të mirë dhe thotë se kjo është arsyeja pse po ndodh kjo dukuri.

”Populli është i pashpresë me këta njerëz që janë në krye të Qeverisë’.

Tutje ai bën krahasimin e kohës së tanishme më atë të viteve të 90-ta.

“As në vitet e 90 dhe as ne vitet e tjera kur Kosova ka pas sfida të ndryshme dhe kohë të vështira nuk ka pasur kaq shumë persona qe kanë dëshiruar heqjen dorë nga nënshtetësia, asnjëherë më parë nuk ka pas kësi gjendje alarmante për këtë çështje”, vlerëson Hasani.

Një ndër fajtorët kryesor sipas tij janë persona që punojnë në Qeveri, duke thënë se aty punojnë vetëm për interesa personale e tallen me qytetarët.

“Kosova nuk ka qeveri të mirë, të gjithë ata që janë aty punojnë vetëm për interesa personale, shikoni se çka po bëjnë në kuvend që sa kohë nuk e votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike e tallen me popullin si të dojnë”, shprehet Hasani.

Ai konsideron se substanca e kombit çdo ditë e më shume po shkon duke u shtypur pasi që Evropianët po tallen me ne, serbët gjithashtu e pastaj edhe vet ne me vetveten.

“Evropian po lujn me ne, serbet po lujn me ne, ne po lujm me veten e kështu substanca e kombit po shkon duke u shtypur”.

Gjithashtu Hasani tregon se nga disa statistika që ai posedon për rreth 7 vjet 60 mijë të rinjë kanë humbur nënshtetësinë.

“Unë i kam disa statistika për 6 deri ne 7 vjet rreth 60mije të rijnë e kanë humbur nënshtetësinë edhe mendojnë komplet me humb substancën dhe identifikimin e tyre kombëtar”.

E në fund të gjitha këto ai i përmbledh edhe me prezencën e madhe të varfërisë në vendin tonë, ekonomisë së dobët dhe pagat e ulta.

“Të gjitha këto probleme e këto procese përcjellëse janë si shkak i varfërisë në Kosovë, ekonomisë së dobët e pagat e ulëta”, deklaron Hasani.

Kurse ekonomisti Lulzim Beqiri për abresh.info thotë se papunësia është një ndër shkaktarët kryesor se pse të rinjtë në Kosovë ndërmarrin hapa negativ për të gjithë shoqërinë në përgjithësi.

“Papunësia është një barrë e madhe për të gjithë qytetarët në këtë vend të dalë nga një luftë e përgjakshme, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik.  Siç dihet, ky fenomen shkakton shumë dëme të mëdha, si në aspektin ekonomik, shoqëror, social e politik”, vlerëson Beqiri.

Beqiri thotë se si shkak i papunësisë në vend ekzistojnë edhe dukuri si: kriminaliteti, vjedhjet, plaçkitjet, zhvillimi i ekonomisë ilegale, droga dhe huliganizmi.

“Rritja e madhe e papunësisë mund të shërbejë si shtrat i ngrohtë për zhvillimin e dukurive negative të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, e posaçërisht për rininë, e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re. Këto dukuri mund të jenë: kriminaliteti, vjedhjet, plaçkitjet, zhvillimi i ekonomisë ilegale, droga, huliganizmi etj.  Për të siguruar ekzistencën e vet dhe të anëtarëve të familjes, të papunët janë të prirë të bëjnë punë të liga dhe të dëmshme që shkojnë në dëm të shoqërisë në përgjithësi”, thotë ai.

Beqiri e sheh papunësinë si një problem të madh dhe kompleks e që zgjidhjen e këtij problemi duhet një qasje komplekse.

“Mund të konstatojmë se papunësia e madhe paraqet një problem mjaft kompleks dhe të ndërlikuar ekonomiko-shoqëror dhe social, për çka duhet edhe  qasje komplekse për zgjedhjen e këtij problemi”, shprehet ai.

Tutje Beqiri përmend  edhe prezencën e nepotizmit në vendin tonë duke thënë se nuk ka institucion që nuk është i prekur nga ky fenomen.

“Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica  pa meritë, thjesht ky fenomen ka shtri rrënje, nuk ke mundësi me u punësua në Kosovë nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para, nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës.”

Bazuar në statistikat e ASK, (Agjencisa e Statistikave të Kosovës) papunësia ende është problemi kryesor dhe se vetëm që është rritur në vitet e fundit.

Beqiri fajëson partitë politike për mos veprimin në lidhje me uljen e papunësisë, duke thënë se manipunohet me punësim duke e krahasuar me një treg ku negociohet çmimi për vend pune.

“Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia ende mbetet problemi kryesor i politik bërësve, mirëpo politikat që kanë ndërmarr këto qeveri tash e 18 vite nuk ka ndonjë tendencë për ulje të papunësisë, madje papunësia vetëm sa ka filluar të rritet, ndarja e buxhetit të shtetit tregon shumë qartë se politikanët aktual nuk kanë plan uljen e papunësisë, në përjashtim të militantëve partiak që i kanë mbush institucionet, jemi dëshmitar se sa shumë manipulohet me punësimi, pothuajse është një treg i cili negociohet çmimi për një vend pune.”/ArditëShkodra/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme