Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell deklaroi se Turqia dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Borrell pasi mori pjesë nëpërmjet video-konferencës në Forumin e Dialogut të Mesdheut (MED) i cili këtë vit zhvillohet për të 6-tën herë nga Ministria e Jashtme e Italisë dhe Institutit Ndërkombëtar për Punime Politike (ISPI) foli edhe për marrëdhëniet me Turqinë.
Në pyetjen se cilat janë pikëpamjet e tij për këtë çështje, Borrell tha se “Kjo është një prej çështjeve më të vështira të cilën ne duhet ta zgjidhim. Në takimin e fundit të Këshillit të Evropës (Samiti i liderëve më 1 tetor) u vendos për hyrje në një agjendë pozitive me palën turke në muajt e ardhshëm dhe të vlerësoheshin zhvillimet nëse do të vërehej apo jo një qasje më pozitive”.
“Por, në këto muaj nuk mund të thuhet se kemi vërejtur shumë sinjale pozitive nga Turqia. Nuk ka përparim kryesisht në çështjen e Qipros, për çështjen e shpimeve dhe në bisedimet eksploruese turko-greke. Në samit duhet të arrijmë në një vendim në kuadër të këtyre zhvillimeve”, tha Borrel.
“Unë mendoj se Turqia dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta, veçanërisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Turqia qëndron dhe do të qëndrojë aty. Ka synime rajonale. Duhet të kuptojmë se Turqia strehon 3.5 milionë sirianë. Duhet të interesohemi dhe t’i ndihmojmë ata. Duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Këto ndihma nuk janë për qeverinë turke, por për refugjatët sirianë”, tha shefi i diplomacisë evropiane.
Më tej Borrell tha se duhet të punohet së bashku në mënyrën më të mirë për çështje të tilla si mosmarrëveshja e ujërave territoriale, për respektimin e ujërave territoriale të Greqisë dhe pjesës së Qipros greke si dhe ndarja në mënyrë të barabartë e të ardhurave nga burimet natyrale.
“Në të vërtetë edhe Turqia dëshiron ndarjen në mënyrë të drejtë të të ardhurave nga burimet natyrale”, theksoi Borrell i cili shtoi se këtë ia ka shprehur edhe ministrit të Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu.
Lidhur me situatën aktuale përpara Samitit të Liderëve të BE-së javën e ardhshme, Borrell tha se “Aktualisht nuk ka ndonjë situatë pozitive. Tani ka ardhur koha që të shohim nëse do të krijohet një partneritet dhe fqinjësi më e mirë. Nëse kjo nuk do jetë e mundur Këshilli i Evropës duhet të marrë një vendim. Duhet të jetë vendim i përbashkët i të gjithë anëtarëve. Regjimi i sanksioneve të BE-së kërkon miratimin e të gjithë anëtarëve. Rezultatin e samitit (10-11 dhjetor) nuk mund ta di që nga tani. Unë përgatis vetëm alternativat”.
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...