SHBA: Republikanët dhe demokratët bllokojnë tërheqjen e trupave nga Gjermania

17:44 | 4 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Ndërrimi i pushtetit në SHBA sjell tone të reja zyrtare ndaj Gjermanisë. Jo vetëm demokratët e Kongresit, por edhe Republikanët, partia e Presidentit Trump kanë ndërmarrë një hap të bujshëm. Me projektligjin për buxhetin e Mbrojtjes, të cilin e ka miratuar edhe Senati, me shumicë republikane, të dyja palët kanë bllokuar tërheqjen e trupave amerikane, të stacionuara në Gjermani.

Tani Kongresi i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes së SHBA ta argumentojë se është në interesin kombëtar të SHBA tërheqja nga Gjermania e 12.000 ushtarëve, nga “rreth 34.500 ushtarë amerikanë”, sa janë në Gjermani. Për këtë janë shprehur disa herë dyshime, edhe nga ushtarakë të lartë amerikanë.

Gjermania vlerësohet në projektligjin e buxhetit të mbrojtjes si “partnere e fortë në NATO”. Dhe prania e trupave amerikane në Gjermani shihet si “frikësim i rëndësishëm, për sulme ushtarake dhe përpjekje të Rusisë për ekspansion në Evropë.”

Kongresi thotë që trupat amerikane në Gjermani janë me rëndësi qendrore: edhe për mbështetjen e misioneve amerikane, në Lindjen e Afërme, në Afrikë dhe në Afganistan.

Tërheqjen nga Gjermania të një të tretës së ushtarëve amerikanë e vendosi në qershor Presidenti Trump. Argumenti i tij ishte se Gjermania nuk shpenzon sa duhet për mbrojtjen. Ministri i Mbrojtjes i SHBA, Mark Esper (tashmë i shkarkuar nga Trumpi) tha pak muaj më vonë se tërheqja nga Gjermania duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por deri tani kjo tërheqje nuk ka nisur.

Ministri i ri i Mbrojtjes i SHBA duhet ta bindë Kongresin se tërheqja është në interesin kombëtar të SHBA. Por edhe sikur të paraqitet një argument i tillë, tërheqja nga Gjermania lejohet të fillojë vetëm tre muaj pas kësaj. Atëherë në pushtet, në SHBA do të jetë Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Söder: Kongresi Amerikan ka korrigjuar një gabim strategjik

Kjo nënkupton që Presidenti në detyrë Trump, që duhet ta firmosë buxhetin e mbrojtjes, të mos e bllokojë atë me veto. Në një rast të tillë, Kongresi dhe Senati mund ta mposhtin veton e tij me dy të tretat e votave.

Në Gjermani reaguan të lehtësuar për synimin e Kongresit të SHBA për të bllokuar tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se është i kënaqur që ka konsensus midis republikanëve dhe demokratëve në Uashington. Ai dha siguri që ushtarët amerikanë janë të mirëpritur në Gjermani.

Prania e ushtarëve amerikanë në Gjermani kontribuon jo vetëm për sigurinë gjermane, por forcon sigurinë edhe për Evropën dhe më gjerë, kujtoi Maas.

Kurse kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha se Kongresi Amerikan ka korrigjuar një gabim strategjik. Ministri i Ekonomisë i Bavarisë, Hubert Aiwanger vuri në dukje edhe se sa të rëndësishme janë bazat ushtarake të SHBA-së për fuqinë blerëse në rajone. Nga tërheqja e trupave amerikane do të prekeshin landet federale të Bavarisë, Baden-Vyrttembergut dhe të Rheinland-Pfazit.

Nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, sekretari i shtetit, Thomas Silberhorn përshëndeti “sinjalin e fortë politik” dhe që në plan të parë SHBA nuk vënë “presionin politik dhe sanksionet, por konsiderata strategjike dhe operacionale”.

“Tani ka një hapësirë të qartë kohore për të gjithë Kongresin, për administratën e re të SHBA dhe gjithashtu kohë për ne që të sjellim argumentet tona dhe të përdorim kontaktet.”

Silberhorn tregoi mirëkuptim që SHBA duan të përcaktojnë interesat e tyre kombëtare. “Por ato gjithashtu duan ta mbajnë Gjermaninë si partnere të fortë në NATO”, i tha ai Deutsche Welle-s.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme