Google ADS

Me vonesë, por mirëpritet futja e pikave të reja në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

08:04 | 4 Dhjetor 2020
A. B.

Pas shumë dështimesh ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

E në këtë komision u pranuan katër amendamentet e PDK-së për të votuar këtë ligj.

Ekspertët e çështjeve ekonomike këtë e komentojnë si një veprim të mirë edhe pse i vonuar.

Reuf Shkodra, hulumtues në Universitetin e Debrecenit (Hungari) në një prononcim për arbresh.info thotë se pikat e propozuara nga PDK kanë një efekt pozitiv në të gjithë rrjetin e furnizimit.

Sipas Shkodrës nga këto masa në mënyrë indirekte përfitojnë edhe firmat/akterët tjerë në mes – përpunuesit dhe distributoret.

“Ndonëse shumë me vonesë, por më mirë vonë se kurrë pikat e propozuara nga PDK kanë efekt pozitiv në të gjithë rrjetin e furnizimit. Heqja e TVSH-së për lëndën e parë nxitë rritjen/shtimin të aktivitetit/prodhimit tek prodhuesit vendorë. Ndërsa pagesa prej 300€ për punëtorët që janë larguar nga puna dhe rimbushim nga shteti për tërheqjen e 10% te nga Trusti për qytetarët që i kanë deri 10,000€, ka ndikim të menjëhershëm në rritje të sasisë së kërkuar. Kështu, qytetarët kanë më shumë para për te shpenzuar (dhe janë me komod kur e dinë që nuk kanë obligim për t’i kthyer) – bizneset kanë më shumë arsye për vazhduar (nëse jo rritur) rrjedhën e punës. Gjithashtu nga këto masa në mënyrë indirekte përfitojnë edhe firmat/akterët tjerë në mes – përpunuesit dhe distributorët”, ka thënë Shkodra.

Edhe sipas ekonomistit, Musa Limani ky është një hap pozitiv që është dashur më herët të merret nga pozita dhe opozita.

“Është dashur më herët që pozita dhe opozita dhe të merren vesh për një draft të përbashkët dhe mos të pësojë ekonomia dhe popullata. Prandaj kjo është e mirëseardhur, por është me vonesë”, ka thënë shkurt Limani.

Ndryshe, Komisioni për Buxhet dhe Transfere me 6 për dhe 3 kundër, ka votuar raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike-COVID-19, duke përfshirë edhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme